Policia ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur sot në Fier.
Në një njoftim për mediet, hidhen poshte akuzat e Luan Baçit se policia bashkiake kishte penguar vijimin e procesit të votimit për shkarkimin e kreut të PD-së.
Policia thotë se strukturat e saj janë tërësisht të papërfshira dhe neutrale në procesin e votimit, por mbeten të angazhuara maksimalisht të garantojnë rendin e sigurinë në territor.
“Në lidhje me një lajm të publikuar në disa media ku aludohet se Policia ka ndërhyrë në një qendër votimi në Njësinë Administrative Cakran, Fier sqarojmë se:
Strukturat e Policisë së Shtetit janë tërësisht të papërfshira dhe neutrale në këtë situatë.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht të garantojë rendin e sigurinë në territor, të parandalojë dhe reagojë me profesionalizëm në çdo situatë që cenon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve.”-thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky reagim vjen pasi Luan Baçi tha se policia bashkiake me urdhër të kryebashkiakut Armando Subashi kishte penguar vijimin e procesit të votimit të referendumit për kreun e PD-së.
“Sapo më njoftojnë për një incident në Cakran të Fierit. Policia bashkiake e Fierit ka vajtur të ndalojë procesin e votimit në ambientet e njësisë vendore ku kishim marrë leje. Komisionerët dhe materialet e votimit janë nxjerrë me dhunë nga policia bashkiake e Armando Subashit. Është turp që “Subashët” merren me këto punë!
Ne i sigurojmë demokratët që votimi do të vazhdojë pasi ne për pak minuta do të gjejmë një ambient diku afër për të vijuar procesin e votimit. Procesi i referendumit filloi normalisht por tani e kanë ndërprerë dhe kanë nxjerrë jashtë gjithë komisionerët dhe materialet e votimit. Me shumë mundësi Subashi ka negociuar me Gaz Bardhin ose Lulzim Bashën pasi nuk kishte si të ndodhte ndryshe për të ndërprerë procesin e votimit.”– ishin fjalët e Luan Baçit.