Vendosni fjalën kyçe....

Roland Bejko: Pse një pjesë e demokratëve po vrapojnë pas Berishës, ai kërkon të shkaktojë trazira në Ballkan


Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Roland Bejko i është drejtuar Lulzim Bashës, duke shpjeguar se përse një pjesë e demokratëve i janë bashkuar ish-kryeministrit Sali Berisha.

Bejko tha se Berisha po u premton demokratëve meritokraci, zgjedhjen e demokratëve e kryebashkiakëve.

Por sipas tij krah Berishës janë edhe ata që kanë abuzuar me pushtetin, apo ata që e urrejnë Bashën që s’i ka bërë deputetë.

Në fjalimin e tij, Bejko shprehet se Berisha kërkon të shkaktojë trazira në Shqipëri dhe Ballkan, me shpresën se kështu amerikanët më në fund do ta ftojnë për negociata pasi e shpallën atë non-grata.

Por sipas Bejkos, “shanset që PD të vijë në pushtet me Sali Berishën, janë zero”.

“Berisha u thotë atyre se unë do ju jap të drejtën të zgjidhni deputetët, kryetarët e bashkive, anëtarët e këshillave bashkiakë, unë do ju jap votën dmth. Ne demokratët këtë duam. Që secili të marrë atë që i takon nëpërmjet meritës, nëpërmjet votës.

Prandaj ai i mbledh ata aty. Prandaj ata kanë shkuar aty. Kanë shkuar edhe ata që s’të duan ty personalisht si kryetar, sepse të urrejnë. Është njerëzore, nuk të duan sepse duan të të marrin vendin. Duan të gjithë të bëhen kryetarë, deputetë.

Ndoshta duhet të isha dhe unë se edhe mua s’më bëre deputet? Por jo, duhet të kapërcejmë interesat personale. Interesat e partisë janë mbi ne. Ata nuk e bënë dot këtë dhe prandaj janë atje.

Kush është tjetër aty? Aty janë ata që kanë abuzuar me pushtetin, s’mund të jenë këtu, se ju folët kundër korrupsionit.

Rrimë tek Kuvendi tjetër… për çfarë i duhet Berishës kjo parti? Kjo parti i duhet që ti tregojë SHBA-ve që ju nuk më nxirrni dot mua nga vendimarrja, nuk më nxirrni dot mua.

Ai mendoi se ju vuri ju në krye të PD-së që të ishit një instrument në dorën e tij. Në momentin që ti e kuptove dhe u ndave dhe mirësekeni ardhur zoti kryetar.

Zoti Berisha e do PD-në t’u thotë amerikanëve “unë po dua ju bëj gjullurdi të paparë”, u thotë demokratëve që unë e marr PD-në sepse kam këtu njerëz të dëshpëruar dhe u thotë për 6 muaj do rrëzoj Edi Ramën me revolucion paqësor. Njerëzit vrapojnë se janë pa bukë, u janë mbyllur dyqanet dhe njerëzit vrapojnë se mendojnë se ai do e bëjë këtë.

Por SHBA i thotë ne të kemi nxjerrë kartonin e kuq, për ato që dimë ne, ju hetoni me drejtësinë tuaj. Këtë tha Escobar në intervistën e tij, megjithatë, po s’e bëtë ju do e bëjmë ne tha.

Vijmë tek momenti i fundit. Berisha është lider karizmatik, e ka aftësinë të elektrizojë masa dhe ka marrë teza të tilla populiste. Sovraniteti në rastin më të mirë do të thotë një nacionalizëm i fortë, në rastin më të mirë kjo dhe në rastin shqiptar do të thotë izolim. Ai thotë që jemi në gjendje të ndërtojmë demokracinë me forcat tona. Si me forcat tona? Të ndahemi nga SHBA dhe BE?

Ai kërkon që të trazojë me protesta, jo vetëm Shqipërinë por edhe Ballkanin, dhe kur të arrijë të bëjë këtë, ai mendon se do bëhet faktor dhe mendon se do t’i shkojnë amerikanët t’i thonë hajde ulemi. Këtë synon të bëjë Berisha. Më vjen keq.

Nuk jam atje dhe jam këtu sepse nuk dua që PD të shuhet, të izolohet krejt, se do të thotë që PD të mbarojë misionin e vet. Axhenda jonë nuk është lindja, nuk është autoritarizmi, por demokracia, vota e demokratëve.”– janë fjalët e Bejkos.