Zvicra ekstradoi biznesmenin rus Vladislav Klyushin në SHBA të shtunën, ku ai përballet me akuza për spiunazh tregtar që përfshijnë dhjetëra milionë dollarë. Sipas Zyrës Federale të Drejtësisë të Zvicrës, Klyushin iu dorëzua oficerëve të policisë amerikane në Cyrih, të cilët e shoqëruan atë në fluturim.
Klyushin zotëron grupin M13, një kompani ruse që është e specializuar në bazat e të dhënave dhe burimet e IT, dhe thuhet se ka lidhje të ngushta me qeverinë ruse.
Biznesmeni u arrestua më 21 mars në kantonin zviceran të Valais, teksa po shkonte për pushime me ski. Ambasada Amerikane në Bernë kërkoi zyrtarisht ekstradimin e tij muajin pasardhës dhe Zyra Federale e Drejtësisë e Zvicrës nxori një vendim ekstradimi në qershor.
Gjykata Federale Zvicerane hodhi poshtë ankesën e Klyushin kundër ekstradimit në fillim të këtij muaji.
Ambasada ruse në Zvicër e denoncoi masën si pjesë e një “gjuetie” të qytetarëve rusë nga autoritetet amerikane. “Ne jemi thellësisht të pikëlluar nga … ekstradimi i nxituar,” tha sekretari i shtypit i ambasadës Vladimir Khokhlov, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.
Avokati i Klyushin, Oliver Ciric, ka thënë se oferta e SHBA për të ekstraduar klientin e tij është e motivuar politikisht “në lidhje me natyrën e punës së tij dhe kontaktet brenda qeverisë ruse”.