Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, i ka kërkuar kryeministrit që të mos flasë më për çështjen e incineratorëve po të lërë SPAK-un të shprehet.
“E bëre qeverisjen siç deshe vetë, tani të paktën mos fol. Mbyll gojën e lër SPAK-un të shprehet!” – shkruan Kryemadhi.
Reagimi i kryetares së LSI-së vjen pas arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka si dhe shpalljes në kërkim të Klodian Zotos e Stela Gugalljas.
Ata akuzohen se kanë përfituar rreth 3.5 milionë euro në incineratorin e Elbasanit përmes krjimit të shoqërive fiktive. Koka u arrestua në shtëpinë e tij në Durrës ndërsa Zoto e Gugallja janë shpallur në kërkim pasi janë larguar.
Pas aksionit të SPAK pati dyshime për dekonspirim të operacionit pasi Zoto e Gugallja u larguan edhe pse ishin nën mbikëqyrje gjatë gjithë kohës nga policia.
Hashtag.al u interesua për këtë çështje e ka dyshim se shoferi i zv.kryeministrit Ahmetaj ka njoftuar Zoton për aksionin duke e ndihmuar të largohet.
Dy ditë më parë, Hashtag.al publikoi një foto ekskluzive të Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Gjiknuri dhe Klodian Mërtirit, së bashku në një kafe. Bashkëjetuesja e Mërtirit, Gugallja, është një nga dy personat e shpallur në kërkim për incineratorin e Elbasanit.