Vendosni fjalën kyçe....

Mashtronte gratë duke u shtirur si gjinekolog, nisin hetimet në Itali


Hetuesit italianë po merren me një rast abuzimi seksual, ku një burrë shtirej si gjinekolog për të parë nga afër organet gjenitale të dhjetëra femrave. I dyshuari i organizoi ekzaminimet online.

Burri kontaktoi gratë, duke u thënë atyre se ishte në dijeni të rezultateve të testeve të tyre mjekësore intime. Pasi kishte marrë të dhënat personale të viktimave nga faqet e internetit, i dyshuari 40-vjeçar u tha grave se ishin diagnostikuar me infeksione të rënda vaginale, që kërkonin kontrolle të mëtejshme, besojnë prokurorët italianë.

Me njohuri të të dhënave të tilla personale si emrat e viktimave të tij, datat e lindjes, numrat e telefonit dhe historitë mjekësore, gjinekologu i rremë i mashtroi pacientët në konsultime online. Ai kërkoi thirrje video përmes platformave duke përfshirë Zoom, duke u kërkuar viktimave t’i tregonin pjesët e tyre intime për të konfirmuar diagnozën, raportuan mediat lokale këtë javë.

Mbi 400 gra në të gjithë Italinë janë shënjestruar. Ndërsa disa gra të mashtruara iu nënshtruan ekzaminimeve në internet nga mjeku i rremë, të tjera dyshuan dhe denoncuan në policinë lokale. Këtë javë, zyra e prokurorit udhëzoi policinë të kontrollonte shtëpinë e të dyshuarit. Janë sekuestruar telefona inteligjentë dhe karta memorie, raportojnë mediat italiane, duke shtuar se hetimet për rastin e cilësuar si dhunë seksuale janë në vazhdim.