Vendosni fjalën kyçe....

Po transportonte 9 emigrantë, 36-vjeçari dibran braktis mjetin në Gjirokastër


Policia e Gjirokastrës ka goditur një rast të transportit të paligjshëm të emigrantëve të futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.

Në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë një mjet nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar ku më pas u gjet i braktisur në vendin e quajtur “Virua”.

Shtetasi R.B ishte duke transportuar 9 emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit.

Policia shpalli në kërkim 36-vjeçarin banues në Dibër dhe sekuestroi mjetin e tij.

Shërbimet e Policisë Rrugore, në vijim të punës për monitorimin e qarkullimit rrugor dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që drejtojnë automjetet në mënyrë të parregullt apo i përdorin ato për të ushtruar veprimtari të ndryshme kriminale, kanë goditur një rast të aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë  shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi shtetasit R. B., i cili po drejtonte automjetin tip “Mercedez Benz”, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë Rrugore për të ndaluar mjetin, të cilin e ka braktisur në vendin e quajtur “Virua”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi R. B. po transportonte 9 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër u shpall në kërkim drejtuesi i mjetit, shtetasi R. B., 36 vjeç, banues në Dibër. Vijon puna për kapjen dhe vënien e tij para përgjegjësisë ligjore.

Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”-thuhet në njoftimin e policisë.