Vendosni fjalën kyçe....

Balfin shet bizneset e kromit te grupi turk Yildirim


Grupi shqiptar i biznesit Balfin do të shesë bizneset e veta në sektorin e kromit në Shqipëri tek kompania Yildirim International Mining Investments.

Palët kanë depozituar pranë Autoritetit të Konkurrencës njoftimin dhe dokumentet shoqëruese në lidhje me transaksionin midis Yildirim International Mining Investments B.V. dhe Balkan Finance Investment Group, lidhur me përftimin e kontrollit të shoqërisë Albchrome Holding SHPK dhe filialeve të saj nga shoqëria Yildirim International Mining Investments B.V. Vlera e transaksionit nuk bëhet e ditur nga palët.

Albchrome Holding, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Shqipëri, me objekt aktiviteti: menaxhimi, aktivitetet mbështetëse për industrinë e minierave, shërbimet për mineralet jo-metalike etj. Albchrome Holding ka dy filiale në pronësi të plotë Albchrome SHPK dhe Vllahen Mining SHPK.

Shoqëria Yildirim International Mining Investments B.V. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar në Hollandë, pjesë e grupit turk Yildirim, grup që operon në një numër të madh industrish si metalurgji dhe miniera, energjetikë, prodhimin e plehrave kimike, fertilizuesve dhe kimikateve, menaxhimin e porteve, ndërtim, transport, logjistikë, etj.

Grupi në fjalë është një biznes në pronësi të familjes turke Yildirim. Sipas informacionit zyrtar në faqen e grupit, ai zhvillon biznes në 51 shtete të botës dhe ka rreth 13 mijë të punësuar. Blerja e kompanive të Albcrome Holding do të zgjerojë më tej aktivitetet e grupit në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të kromit.

Yildirim Group zotëron dy kompani të tjera të rëndësishme të industrisë së kromit, ETI KROM, që shfrytëzon burimet në zonën e Elazig të Turqisë dhe VOSKHOD CHROME, kompani që shfrytëzon burimet e nxjerrjes së këtij minerali në Kazakistan.

Në dy vitet e fundit, rezultatet financiare të kompanive të sektorit të nxjerrjes dhe përpunimit të kromit që zotërohen nga grupi Balfin nuk kanë qenë shumë të mira, ndërsa vitin e kaluar aktiviteti duket të jetë ndikuar ndjeshëm nga pandemia dhe rënia e kërkesës që ajo solli në tregjet botërore.

Kompania Albchrome shpk për vitin 2020 raportoi një xhiro vjetore në vlerën e 4.5 miliardë lekëve, 40% më pak krahasuar me një vit më parë. Rezultati financiar ishte me fitim modest në vlerën e 5 milionë lekëve, ndërsa një vit më parë ishte shënuar një humbje neto prej 663 milionë lekësh.

Kompania Vllahen Mining për vitin 2020 raportoi një xhiro totale në vlerën e rreth 5 miliardë lekëve, në rënie me 71% krahasuar me një vit më parë. Rezultati financiar neto ishte negativ në vlerën e 40 milionë milionë lekëve, ndërsa në vitin 2019 humbjet preknin shifrën e 56 milionë lekëve./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor