Vendosni fjalën kyçe....

Berisha e mbyll protestën me një paralajmërim për Ramën: Kjo është vetëm protesta e parë


Ish-kryeministri Sali Berisha e ka mbyllur protestën e sotme me një mesazh për kryeministrin aktual, Edi Rama.

Ai paralajmëroi zhvillimin e protestave të tjera.

“Ne këtu jemi mijëra qytetarë të lirë. U mblodhëm me një thirrje të shpejtë, por në 2 muaj ia dolëm të rivendosim në piedestal monumentin e pluralizmit. Ky uragan, ky ortek nuk ndalet më. Ndaj lejomëni ta paralajmëroj Edi Ramën. Mos guxo t’i dalësh para, mos mendo se me pakicë e stërpakiscë mund të shtypësh shumicën. Se mjerimi të pret. Ne nuk ka forcë në botë që na ndalon në rrugën tonë.

Kjo është protesta e parë, ju ftoj të qëndrojmë të vendosur për serinë e pafundme të protestave të tjera gjersa të çlirojmë Shqipërinë nga narkoshteti, të rikthejmë votë, të rikthejmë shpresën, të rikthejmë të ardhmen për çdo shqiptar. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti ju bekoftë ju!”- tha Berisha duke u larguar nga podiumi dhe mbyllur protestën e sotme.

Më pas ndërsa po largohej, i pyetur nga gazetarët Berisha theksoi se dhe opozita ka përgjegjësi për situatën në vend që nuk i priu për të ngjallur shpresën dhe besimin tek qytetarët shqiptarë, por që sipas tij kjo kohë merr fund. Ai tha se do ketë një program protestash në vijim.

“Në rast se Shqipëria është rrokullisur në këtë mënyrë, përgjegjësi pa asnjë diskutim, ka dhe udhëheqja e shkuar e opozitës, e cila në asnjë rrethanë nuk dha shembullin dhe nuk priu për të ngjallur shpresën dhe besimin tek qytetarët shqiptarë. Kjo kohë merr fund. Ju e patë, një protestë e thirrur në 48 orë. Herë tjetër do kemi program protestash. Asgjë nuk do na pengojë për të zbuluar të gjitha lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin.”- tha ai.