Sali Berisha në përfundim të protestës së organizuar sot kundër nismës “Ballkani i Hapur” dhe kundër ardhjes së Aleksandër Vuçiç në Tiranë deklaroi se në vijim do ketë një program protestash.
Berisha kështu lajmëron se protestat e organizuara nga ai do vijojnë duke theksuar se revolucioni është i pandalshëm.
“Në rast se Shqipëria është rrokullisur në këtë mënyrë, përgjegjësi pa asnjë diskutim, ka dhe udhëheqja e shkuar e opozitës, e cila në asnjë rrethanë nuk dha shembullin dhe nuk priu për të ngjallur shpresën dhe besimin tek qytetarët shqiptarë. Kjo kohë merr fund. Ju e patë, një protestë e thirrur në 48 orë. Herë tjetër program protestash. Asgjë nuk do na pengojë për të zbuluar të gjitha lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin”-tha Berisha.
I pyetur nga gazetarja e Neës 24 Klodiana Lala se cili është qëllimi i tij final?, Berisha u përgjigj: “Cilido të jetë drejtimi i PD atë e përcaktojnë anëtarët e saj. Një gjë është e sigurt, që sot PD e rithemeluar në vlerat e saj, është një shumicë e jashtëzakonshme, është grupacioni më i lirë i kësaj toke që nuk e përkul dot dhe nuk e mposht dot asgjë. Është revolucion i pandalshëm”.