Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Manja prezanton drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve: Ka besimin tim


Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka prezantuar sot Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve, Admir Abrija.

Ky i fundit zëvendëson në këtë detyrë Agim Ismailin.

Gjatë fjalës së tij, Manja tha se në një bisedë me edrejtorin e ri i ka parashtruar vizionin dhe objektivat e tij, të cilat pret të vihen në jetë.

“Në bisedën me Admirin, i kam parashtruar vizionin dhe objektivat e mia. Pres që ato të vihen në jetë nga dita në ditë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, dhe e gjithë piramida e këtyre institucioneve, pavarësisht gjithë problematikës për të cilën unë jam në dijeni të plotë, duhet të jetë model në zbatimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut. Nuk dua të kemi ngjashmëri as hipotetike me imazhe që herë pas here vijnë nga institucione të tilla nga vendet fqinjë.”– ka thënë Manja.

Më pas në një postim pas këtij prezantimi, Manja thotë se Abrija ka besimn e tij dhe se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sipas tij do të jetë një model i zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

“Admir Abrija ka gjithë besimin tim, eksperiencën time dhe mbështetjen ligjore në sprovën e re si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

Viti 2022 do të nisë me një filtër të fortë për të gjithë piramidën e sistemit penitenciar. Ligji dhe vetëm ligji është mburoja më e fortë e një pune të mirë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe gjithë IEVP-të duhet të jenë model i zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Nuk do të pranoj kurrë që qoftë edhe në një prej institucioneve tona, përsa kohë të jem unë në këtë detyrë, të ketë ngjashmëri, apo përafri me ngjarje, a imazhe, që vijnë nga vendvuajtje dënimi, apo paraburgimi të ngjashme në rajon.”- shkruan Manja.

Kujtojmë që ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Ismaili u shkarkua nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave më 17 dhjetor. Në vend të tij u emërua Admir Abrija.