Vendosni fjalën kyçe....

Pallati i Kongreseve nuk i kishte 5 mijë karrige, Bardhi i përgjigjet gazetarit: Unë dhe ti nuk kemi detyrë të numërojmë karriget, aty ishit, i numëronit delegatët


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në konferencën e sotme u pyet nga gazetarët lidhur me kapacitetet e Pallatit të Kongreseve dhe numrin e delegatëve që kanë marrë pjesë në Kuvendin e 18 Dhjetorit.

Gazetari i tha Bardhit se në pallatin e kongreseve ndodheshin vetëm 1958 karrige dhe e pyeti se ku kanë qenë mbi 3 mijë delegatët e tjerë të PD-së.

Bardhi i është përgjigjur pyetjes së gazetarit duke i thënë se nuk ka qenë nevoja të numëronte karriget por të verifikonte procesin e regjistrimit të delegatëve.

Sipas Bardhit çdo gjë ka qenë transparente dhe është e verifikueshme pasi delegatët kanë qenë në sallë brenda dhe në salla të tjera të Pallatit të Kongreseve në këmbë.

“Keni bërë shumë mirë që keni numëruar karriget. Ju keni pasur mundësinë e plotë që të mos numëroni karriget por njerëzit që po regjistroheshin. Ishit brenda? Kishit sjellë 14 kamera, ti kishit instaluar në tavolinat e Komisioneve të Regjistrimit të delegatëve. Dhe kishit numëruar delegatët. As nuk ju penguam. Nuk ju nxori njeri jashtë. Ishit aty.

Nuk ju kemi penguar që të bëni punën tuaj, por siç kemi bërë gjithmonë. Keni pasur mundësi që të verifikoni dhe numëroni anëtarët e kuvendit dhe të gjithë procedurat që po ndiqej në regjistrimin e anëtarëve. Kjo do të ishte një mënyrë për të bërë transparencë për Kuvendin e datës 18.

Për saktësim, regjistrimi i delegatëve bëhej në hollin e Pallatit të Kongreseve. Sigurisht brenda sallës nuk kishte mjaftueshëm karrige, por nuk ju ka penguar njeri të verifikoni priocesin e regjistrimeve.

I ndoqët nga karriget brenda apo karriget jashtë.”– tha Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, pas një debati me gazetarin vijoi: Sikundër ka patur delegatë që për shkak të kapacitetit të sallës kanë qenë në këmbë dhe po e përsëris unë dhe ti nuk kemi për detyrë të numërojmë karriget, por të bëjmë transparencë të delegatëve dhe procesit të regjistrimit të çdo delegati.”