Punonjësit e “Brussels Airlines”, kompanisë kryesore ajrore transportuese të Belgjikës kanë hyrë në grevë me kërkesën për përmirësimin e kushteve të punës.
Punonjësit e “Brussels Airlines”, përfshirë pilotët dhe ekuipazhet e kabinës filluan një grevë 24 orëshe me thirrjen e bërë nga sindikatat e ndryshme të punëtorëve.
Për shkak të grevës e cila zhvillohet në fillim të pushimeve të Krishtlindjeve, një prej periudhave më intensive të vitit, janë anuluar gjysma e mbi 100 fluturimeve të planifikuara për t’u realizuar nga aeroporti i Brukselit.
Në një deklaratë të përbashkët nga sindikatat lidhur me grevën thuhet se administrata e “Brussels Airlines” nuk respekton periudhat e pushimit të punonjësve, prish balancën e punës dhe jetesës dhe që planifikimet e fluturimeve janë shumë të vështira.
“Kushtet e punës duhet të përmirësohen menjëherë”, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se pavarësisht sakrificave që punonjësit kanë treguar për shkak të pandemisë së COVID-19, administrata nuk vepron në përputhje me marrëveshjen dhe vazhdon largimet nga puna dhe shkurtimet e pagave.
“Brussels Airlines” filloi të përballet me probleme financiare për shkak të pandemisë. Aviokompania ka marrë mbështetje financiare nga qeveria e Belgjikës dhe ajo ka njoftuar se do të ulë numrin e flotës dhe të punonjësve.
E lidhur me “Lufthansa Group”, aviokompania “Brussels Airlines” ka rreth 3.300 punonjës dhe 38 avionë.