Lulzim Basha në konferencën e tij për media, ka deklaruar duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha se nuk do të lejojë një person të shpallur “non grata” nga SHBA që t’i zgjasë jetën një kryeministri që pritet të shpallet “non grata”, duke iu referuar këtë radhë Ramës.
“Nuk do të lejoj që një ‘non grata’ të bëjë gjithçka për t’i zgjatur jetën dikujt tjetër që pret të shpallet non grata dhe meriton të shpallet non grata pavarësisht se është ulur në poltronën e kryeministrit. Ne do të vazhdojmë punën pa u provokuar.
Asgjë nuk do të na lëvizë nga vendosmëria jonë për të vazhduar këtë rrugë, asgjë nuk do të na pengojë apo intimidojë për të çuar deri në fund gjithçka që kemi nisur. Asgjë s’do të na ndalë të bëjmë transparencën e plotë të inceneratorëve.
Armiku i mirëqenies së shqiptarëve dhe aleanca e korrupsionit futet të marrin goditjen e merituat, përballë kanë një PD të çliruar nga hijet e së shkuarës ta dijë Rama, Berisha eriha apo ushtarët. Janë në mbikëqyrjen tonë, nuk na intimidojnë dhe nuk i pret fati që i premton Rama apo Berisha apo trekëndëshi Bermudës.
Ja ku jemi punën do e vazhdojmë, punën do e vazhdojmë, jemi të vendosur që të luftojmë për të ardhmen dhe e ardhmja e shqiptarëve nuk do jenë një grusht ish-pushtetarësh me të kaluar që i bëjnë fresk Edi Ramës. E ardhmja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve do jetë një PD e çliruar nga mbetjet e të shkuarës, komunizmit dhe korrupsionit.”– tha Basha.
Më pas i pyetur nga gazetarët se ku e bazon informacionin që Rama pritet të shpallet “non grata”, Basha thotë se nuk ka asnjë informacion por këtë e shikon në sjelljet që bën vetë kryeministri.
“Unë s’kam asnjë informacion, por Edi Rama dhe shumë të tjerë meritojnë të shpallen non grata. Edi Rama po sillet si dikush që pret të shpallet non grata, ndaj është në krah të dikujt që është shpallur nongrata si Tom Doshi dhe dikujt tjetër që pretendonte se e kishte përballë si Sali Berisha.”– u përgjigj Basha.