Kreu i PD-së Basha ka shkëputur një deklaratë nga emisioni i djeshëm Real Story dhe e ka postuar në faqen e tij në Facebook.
Ai thekson se vendi duhet të oshëtijë edhe njëherë nga shpresa e jo nga dëshpërimi.
Kryedemokrati tha se vendi është dëmtuar rëndë nga ai që e quan ‘Trekëndëshi i Bermudës’ dhe se tani PD-ja e ka vullnetin dhe potencialin për të ecur përpara në shërbim të qytetarëve.
“Të oshëtijë edhe njëherë Shqipëria nga shpresa, jo nga dëshpërimi. A është e mundur?! Është plotësisht e mundur. A është e vështirë?! Është shumë e vështirë. Dëm të madh ka bërë politika dhe pikërisht këta që përmende, dinosaurët. Unë e quaja karuseli, ju e quanit dinosaurët e politikës. Ndaj, po, jo vetëm është e mundur por do ishte mëkat i pafalshëm nëse tani, që jemi çliruar nga kjo ngarkesë negative, tani që jemi vendosur me vetëdije përballë tyre, përballë ‘Trekëndëshit të Bermudës’, në kuptimin e një trekëndëshi politik 30-vjeçar që ka interes ta mbajë Shqipërinë kështu siç është dhe jo ashtu siç e duan shqiptarët. Pa diskutim, Partia Demokratike disponon dhe unë kam vullnetin që gjithë këtë potencial t’ia vëmë në funksion shoqërisë. Së pari duke ndërtuar urat e besimit aty ku mungojnë, duke i riparuar aty ku i kemi dëmtuar.” – tha Basha.