Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në daljen e sotme për mediet, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, që të mos pengojë mbledhjen e Komisionit Hetimor për inceneratorët.
Basha tha që nesër do të zhvillohet komisioni, duke i kërkuar kryeministrit që të dërgojë anëtarët socialistë në mbledhje.
Gjatë fjalës së tij, Basha akuzoi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha se me aksionet e tij të fundit po tregon se misioni i tij po bëhet pengesë për aksionin opozitar.
“Ndaj hapi i parë është thirrje që i bëj Ramës të zhbllokojë mbledhjen e komisionit hetimor, të kthejë nesër anëtarët. Sepse cdo gjë tjetër është provë se Edi Rama nuk është thjesht pjese, por është koka e vërtetë e inceneratorëve.
Ne jemi të fokusuar te njerëzit. Fundi i vitit po afron, ndërkohë që një nga skandalet më të mëdha ka plasur, skandali i inceneratorëve. Dje është përhapur lajmi se Ëngjëll Agaci është dorëhequr, por sot nuk konfirmohet ky lajmi.
Arrestimi i Lefter Kokës është akt për t’u përshëndetur, por i paplotë nëse nuk shoqërohet me arrestime të tjera. Shqiptarët e dinë se Lefter Koka nuk ka vepruar i vetëm. Shqiptarët e dinë që 17 vendime u kaluan brenda natës. Për më shumë se katër muaj PD, që denoncoi dhe bëri të mundur nisjen e hetimeve, ka nisur edhe përpjekjet për transparencën e plotë parlamentare.
I bëj thirrje Felajt dhe Ramës të mos pengojnë seancën e komisionit për inceneratorët, që do të zhvillohet në orën 12:00, ditën e nesërme, sepse po kryejnë vepër penale, por edhe po vetëzbulohen si autorë dhe bashkuatorë të kësaj afere.
Është bërë mullar me prova, se tek inceneratorët dhe me inceneratorët është e lidhur gjithë kupola qeveritare dhe nesër komisioni hetmor do të tregojë si u abuzua me miliona euro. Ndërkohë që ne jemi të fokusuar te ky problem që ka lidhje me korrupsionin qeveritar, Sali Berisha vërtetoi edhe njëherë se misioni i tij po bëhet pengesë për aksionin opozitar. Ai s’ka bërë asgjë për ato që ka premtuar, por është bërë pengesë për hetimin e inceneratorëve.”- tha Basha.