Një incident ka ndodhur këtë të martë në mbledhjen e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në Kosovë.
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu në një moment gjatë kësaj mbledhjeje, i ka hedhur ujë ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
“Ti je rrugaç bre, mbylle rrugaç, idiot, kështu e meriton.”- është shprehur Musliu duke i gjuajtur ministrit me ujë.
Ministri Peci me ironi i është drejtuar deputetes me fjalës: “Ti je shumë e kulturume, po shihet ajo pjesa e kulturës.”
Ai ka reaguar pas këtij incidenti, duke thënë se sa të jetë ai ministër askush nuk do të mund të vjedh në Ministrinë e Bujqësisë.
“Nuk ka me vjedh askush sa të jam unë ministër. Ndaq gjuni me ujë, ndaq me plumba qysh keni gjujtë në të kaluarën, nuk ka birë nane që e ndal Faton Pecin. Sa të jem unë, nuk munden me vjedh dostat e Ganes.”- deklaroi ai.
Pas kësaj përplasjeje, kryetarja e Komisionit, Fitore Pacolli u detyrua të kërkonte një pauzë të shkurtër nga mbledhja.