Dy persona janë prangosur pasi janë kapur duke transportuar lëndë narkotike të fshehur në arka me banane.
Në pranga kanë përfunduar 30-vjecari M.N. banues në Vaqarr dhe 36-vjeçari G.R., banues në Burrel.
Pasi janë pikasur nga policia ata janë përpjekur të largohen në pikën e kontrollit të ngritur në autostradën Tiranë-Durrës por janë kapur.
Gjatë kontrollit në makinë atyre u është gjetur një sasi prej 8.5 kilogramësh kanabis të fshehur në arkat me banane.
Njoftimi
“Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit Operacional Durrës, që janë të vendosura në pikë kontrolli në aksin rrugor Tiranë- Durrës, në zbatim të Planit të Veprimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë “Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një automjet tip “Benz” transportonte lëndë narkotike, kanë intensifikuar kontrollet duke kontrolluar imtësisht çdo automjet të dyshuar.
Drejtuesi i automjetit tip “Benz” që kishte lëndën narkotike në automjet, pasi ka parë shërbimet e Policisë, ka shtuar shpejtësisë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në pikën e kontrollit.
Patrullat e Policisë Rrugore dhe shërbimet e tjera të DVP u vunë në ndjekje dhe bënë të mundur ndalimin e mjetit, së bashku me dy personat që qarkullonin me këtë automjet.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e mjetit, gjetën dhe sekuestruan 8.5 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, të vendosur në arka bananesh.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. N., 30 vjeç, banues në Vaqarr, Tiranë (drejtues i mjetit) dhe G. R., 36 vjeç, banues në Burrel (pasagjer në mjet).
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.”