Pak ditë më parë, në pavionin e kardiologjisë në QSUT u krye në ndërhyrje në zemrën e një pacienti 77-vjeçar, të cilit iu vendos një valvul e re në zemër në një operacion ku valvula nuk qepet në organ po vendoset si protezë.
Në një kronikë të përgatitur nga Top Channel, kirurgu që ka kryer ndërhyrjen, Selman Dumani, deklaroi se jo vetëm në strukturën shtetërore por edhe në klinikat private, kjo është hera e parë që kjo ndërhyrje realizohet.
“Në strukturën tonë shtetërore por kam idenë në raport edhe me klinikat e tjera i është hapur një rrugë e re për implantimin e një lloj proteze artificiale në valvulën e aortës që quhet protezë aorte pa qepje tradicionale. Është një punë që bëhet totalisht në ekip dhe është një punë që bazohet në themele të forta për kirurgjinë e valvulës së aortës që është realizuar në klinikën tonë prej dekadash. Këto proteza artificiale kanë parametra hemodinamikë shumë shumë të mirë, edhe në raport edhe me valvula të tjera biologjike që janë përdorur deri tani në mënyrë tradicionale. Kjo valvul neve na shkurton në mënyrë të rëndësishme kohën e operacionit. Shkurtimi i kësaj kohe përkthehet direkt në rezultate shumë më të mira për të sëmurin.” – thotë ai gjatë kronikës së TCH.
Megjithatë rezulton se një ndërhyrje e tillë në valvulën e zemrës është realizuar vite më parë në Shqipëri, që në 2017-ën nga kardiokirurgu Edvin Prifti.
Sipas këtij të fundit, bëhet fjalë për një teknologji që në botë është përdorur që para dhjetë vitesh. Po kështu Prifti vëren në reagimin e tij se katër valvula nga ato pa qepje, që janë përdorur edhe në operacionin e kryer nga Dumani, janë siguruar prej tij me shumë vështirësi pasi janë tejet të shtrenjta.
Po kështu Prifti thekson se deri tani nuk është vërejtur asnjë benefit më shumë i këetyre valvulave krahasuar me ato standarde edhe pse janë shumë më të shtrenjta, deri në 10 herë krahasuar me to.