Vendosni fjalën kyçe....

Komisioneri për Zgjerimin Varhelyi: Tre vendet që s’i janë bashkuar ende Ballkanit të Hapur, ta bëjnë


Komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi, u bëri thirrje tre vendeve që nuk janë bashkuar ende me nismën e Ballkanit të Hapur që të bëhen pjesë e tij.

Ai u bë pjesë e takimit që po zhvillohet në Tiranë mes kryeministrit Rama, presidentit serb Vuçiç e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zaev, me anë të një platforme dixhitale.

“Është e lehtë të jesh mik i Ballkanit, kur siç e dini unë jam nga Hungaria. Ndoshta kjo më jep një nivel më të afërt kuptimi të nevojave që ka Ballkani dhe mënyrës si mund ta ndihmojmë për t’u rritur shumë më shpejt e për të ardhur më afër BE. Për të qenë i ndershëm, kam qenë gjithmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi, që u quajt në fillim mini-shengen. Më pas, u përpoqëm brenda procesit të Berlinit dhe krijuam tregun e përbashkët. Për fat të keq, me disa zgjedhje në rajon, kjo nismë u la mënjanë. E konsideroj këtë nismë si një pasardhëse apo një zëdhënëse, derisa të gjithë të jenë rreth tryezës. Ju duhet të vazhdoni ta nxisni këtë nismë, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë sa i takon ekonomisë, shoqërisë. Rajoni kërkon të jetë bashkë, siç jemi ne në BE. Ne në BE mendojmë se në bazë të rregullave të BE, çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur, por edhe në të mirë të të dyja palëve. Do të ishte ideale që të gjendej një mënyrë për t’u kthyer në tregun e përbashkët rajonal. I ftoj tri partnerët e tjerë t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal, sepse jo vetëm shton mundësitë për biznese, ofron shtim të punësimit, por mund të ndryshojë realitetet në terren.” – tha ndër të tjera Varhelyi.