Ky është momenti kur ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij u futën në një nga sallat brenda selisë së Partisë Demokratike.
Dyert e sallave ishin të mbyllura, por njëri prej mbështetësve të Berishës e hapi derën me forcë duke e goditur me shkelm.
Pas kësaj u futën brenda ish-kryeministri Berisha si dhe anëtarët e komisionit të Rithemelimit të PD-së. Më pas medieve iu kërkua që të dilnin jashtë nga salla.
“Dilni përjashta. Dilni.”– dëgjohej deputeti Flamur Noka.
Gjatë kësaj kohe, në godinën e PD-së ndodhej edhe Lulzim Basha në një sallë tjetër përballë, në një tjetër mbledhje me deputetët dhe strukturat.
Pas këtij incidenti, Partia Demokratike reagoi përmes një njoftimi për mediet, duke bërë me dije se do e kallëzonte penalisht personin e shfaqur në viden e mësipërme.
Sipas PD-së, mbështetësi që shoqëronte Sali Berishën dhe shkelmoi sot derën e një salle në selinë blu është Fatjon Dauti, një person i kërkuar në Britaninë e Madhe për trafik të lëndëve narkotike.
“Partia Demokratike kallëzon penalisht Fatjon Dautin, personin që shoqëronte Sali Berishën dhe ndërmorri akte dhune në selinë e Partisë Demokratike
Pas analizimit të pamjeve filmike rezulton se i urdhëruar nga deputeti Flamur Noka, shtetasi Fatjon Dauti, person me precendetë të rëndë kriminal, që shoqëronte Sali Berishën, ka dhunuar ambientet e selisë qendrore të Partisë Demokratike.
Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe, shtetasi Fatjon Dauti është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave.”- thuhet në njoftimin e PD-së.
Të njëjtat akuza ndaj Dautit i përsëriti kryedemokrati Lulzim Basha në një konferencë për mediet./Hashtag.al