Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç: Ballkanin e Hapur s’mund ta ndalojë askush, vendet që s’janë bashkuar ende të na bashkohen


Presidenti serb Vuçiç ka deklaruar se nismën Ballkani i Hapur nuk mund ta ndalojë askush.

Teksa foli në takimin në Tiranë, ai tha se kjo nismë do shtrojë rrugën për të ardhmen e qytetarëve të vendeve respektive.

Po kështu ai tha se nuk ka ndërmend të japë justifikime për tre vendet që nuk janë ende pjesë e kësaj nisme duke i ftuar të bëhen pjesë e saj.

“Falenderoj të gjithë ata që kanë punuar fort gjatë gjithë kësaj kohe. Këto janë rezultatet e para që kemi arritur deri tani. Mbajta shënim një fjali të fortë “Ndoshta mund të mos përgatisim dot të ardhmen për fëmijët tanë por mund të përgatisim fëmijët tanë”. Është një iniciativë që do krijojë themelet e të ardhmes së fëmijëve tanë. Objektiv është të lidhim njerëzit me njëri tjetrin. Që njerëzit të kenë mundësi të ndërveprojnë me njëri tjetrin. Mbrëmë gjatë një takimi me bizneset, pash një dëshirë të madhe të tyre për të bërë biznes në Serbi apo Maqedonisë së Veriut, po ashtu njoh biznesmenë serbë që duan të investojnë në Shqipërisë e Maqedoninë e Veriut. Po kështu edhe me turistët. Do i inkurajojë më shumë njerëzit të bashkëveprojnë me njëri tjetrin. Askush nuk mund ta ndalojë këtë gjë. Ky është një proces gjithëpërfshirës. Më ka ardhur pak në majë të hundës, që duhet të japim justifikime, thua se kemi bërë diçka të gabuar. Janë të mirëpritur nëse duan të bëhen pjesë, po s’kemi pse kërkojmë ndjesë. Por do e kenë të vështirë t’u tregojnë qytetarëve pse nuk janë pjesë. Do të bëhen pjesë kur kjo gjë të jetë më e qartë.” – tha Vucic.