Vendosni fjalën kyçe....

Filmi ‘Zgjoi’ i regjisores nga Kosova futet në listën e ngushtë për nominimet ‘Oscar’


Filmi i regjisores nga Kosova, Blerta Basholli, ‘Zgjoi’ (Hive), është futur në listën e ngushtë për nominim për Çmimin prestigjioz Oscar.

Ai është përzgjedhur  mes 15 filmave ndërkombëtare për edicionin e 94-të të Çmimit Oscar.

Filmi ‘Zgjoi’ është frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes.

Në film tregohet sesi personazhi kryesor përballet me mjedisin tradicional patriarkal, që nuk e sheh me sy të mirë atë. Megjithatë ajo vijon misionin e saj për të siguruar mbijetesën e familjes së saj. Ceremonia e çmimeve ‘Oscar’ do mbahet më 27 mars 2022.

Presidentja e Kosovës, Osmani, shkruan në Twitter se kjo është hera e parë që një film artistik nga Kosova është në listën e ngushtë për çmimet Oscar.

“Sonte filmi kosovar “Zgjoi” (Hive) bëri histori! Shumë krenare! Për herë të parë një film artistik kosovar është në listën e ngushtë për çmimet Oscar. Urime të mëdha për @Blertabb dhe ekipin dhe gratë e Krushës që treguan me guxim historinë e tyre.”