Deputeti demokrat Belind Këlliçi, ka reaguar pas qarkullimit në rrjet të të dhënave personale të qytetarëve të punësuar në sektorin privat e publik, bashkë me kartat e tyre të identitetit.
Këlliçi shprehet se kjo databazë është në funksion të patronazhimit socialist.
“Dinë kë ke votuar, kë mund të votosh, nga do anosh; të gjurmojnë votën, dinë ku punon dhe sa e ke rrogën.
Tatimet, QKR, e-Albania, Shqipëria që duam, të gjitha në funksion të patronazhimit socialist.
Përdorin të dhënat personale për të krijuar klimën e terrorit psikologjik se shteti të njeh me rrënjë e dhëmballë.
Si qëmoti edhe tani, e njëjta mendësi kontrolluese diktatoriale. Pikërisht nga ai që do hapi Ballkanin me koka peshku. Si një pijanik tavolinash të fryra, që pasi i vishen sytë nga avujt e alkoolit, ia nis të diskutojë me pathos edhe për gjeopolitikën.”- shkruan Këlliçi.
Lista me të dhënat personale të qytetarëve që janë publikuar në rrjet, nuk dihet se kujt i përket me saktësi dhe si ka dalë.
Në këtë bazë të dhënash përfshihen kartat e identitetit, pozicioni i punës e rrogat.
Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimin pas shqetësimeve të qytetarëve për publikimin e këtyre të dhënave personale.