Vendosni fjalën kyçe....

Shtimi i kamerave në seli, Komisioni i Rithemelimit: Basha po humbet arsyen, po e kthen PD-në në një bunker të sigurisë së lartë


Komisioni i Rithemelimit të PD-së i ngritur në Kuvendin e 11 Dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka komentuar përmes një njoftimi për mediet, shtimin e masave të sigurisë në selinë blu.

Sipas Komisionit të Rithemelimit, shtimi i kamerave është dëshmi e vetmisë dhe paranojës që ka kapluar kryedemokratin Lulzim Bashën.

“Deputeti Lulzim Basha pas karriges, dita ditës po humbet dhe arsyen!

Frika nga përballja me vullnetin e 44 mije demokrateve që votuan për shkarkimin e tij në datën 18 Dhjetor e shtyn çdo ditë në absurditete të reja.

Shndërrimi i shtëpisë së lirisë në një bunker të sigurisë së lartë është dëshmi e vetmisë dhe paranojës që ka kapluar karrikethyerin që ka humbur arsyen për të kuptuar se lider dhe kryetar nuk të bën as vula, as brava dhe as kamerat e sigurisë, por vullneti i 44 mijë demokratëve që të dhanë përgjigjen më të merituar në date 18 dhjetor.

Partia Demokratike do t’u rikthehet shumë shpejt demokratëve, pronarëve të saj të vërtetë dhe është në të interes të ish-qeraxhiut ta kuptojë se nuk ka kamera, bravë apo gaz lotësjellës që mund ta ndalë vullnetin e tyre!”- thuhet në njoftimin për mediet.

Nuk dihet pse ky vendim, por instalimi i kamerave vjen vetëm një ditë, pas një incidenti që ndodhi në selinë blu kur në momentin e futjes së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit për një mbledhje, një mbështetës i tij shkelmoi derën e sallës e cila ishte e mbyllur.