Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj për listën e pagave: Sistem patronazhistësh i ngritur për zgjedhjet, Tangentopol


Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e cilësoi çështjen e publikimit të të dhënave të tatimpaguesve shqiptarë që është publikuar ditët e fundit, si një sistem të patronazhistëve.

Gjatë fjalës së tij, Alibeaj tha se e gjitha kjo ka lidhje me atë skemë patronazhimi të ngritur për atë qëllim të vetëm, për të manipuluar zgjedhjet.

“E gjitha ka lidhje me atë skemë patronazhimi të ngritur për atë qëllim të vetëm: zgjedhjet. Deformimi i vullnetit të individit, deformim i vullnetit të më së paku 637 mijë shtetasve shqiptar. Pa përllogaritur efektin e familjeve.”- tha Alibeaj.

Deputeti demokrat e quajti këtë një lloj “Tangentopoli”.

DEKLARATA E ALIBEAJT

Besoj se tashmë është bërë e ditur për këdo se përse maxhoranca e PS në komisionin hetimor e vendosur të pengonte planin hetimor, tashmë kjo bëhet e qartë! 

Ju e mbani mend se cila ishin pikat e planit të hetimit?! 

E para çështje më e rëndësishme ishte hetimi i poatronazhistëve, të 910 mijë shtetasve të cilët iu kishin dalë të dhënat në pazar.  

Çështjet e tjera kanë lidhje organike me çështjen e parë.  

13 mijë punësime të reja. Punësohen pikerisht ata njerëz të cilët pasi punësohen në kundërshtim me ligjin, survejohen deri ditën që hedhin votën dhe pastaj. Ky është sistemi i patronazhimit. 

120 milionë eurot e tërmetit, nuk hidhen bedave, hidhen atyre familjeve që të dëmtuara apo jo, madje atyre më pak të dëmtuara sepse mbi ta rëndon si “hije e zezë” patronazhisti, i cili survejon nga ai moment të gjithë sjelljen e tyre deri tek kutia e votimit dhe pas saj.  

E njëjta gjë edhe me legalizimet dhe pjesën tjetër të koncesioneve, 525 mln.  

Pse u ndërpre plani i hetimit, cili ishte shkaku?! 

Sepse sipas arsyes, logjikës më normale, të thirrur në komisionin parlamentar, sipas ligjit, ishin edhe dy institucione.  

Po ua kujtoj.  

SPAK dhe Prokuroria. 

Kjo ishte arsyeja, e nxjerrë prej tyre, se përse nuk do të duhej të miratohej plani i hetimit. E në këtë rast, ndërprenë edhe hetimin. Sepse e kishin fare të qartë se çfarë ishte gatuar para 25 prillit. 

Po është Tangentopoli! Është maksiproces sepse ajo se çfarë ka dalë në lidhje me bërjen publike të pagave të muajit janar 2021, paska dal edhe muaj prill 2021. Vini re, gjithnjë para zgjedhjeve të 25 prillit! Dhe nuk është thjeshtë 637 mijë të dhëna publike, janë 637 mijë vepra penale. 

Çdo individ i punësuar në shtet apo privat, meqë ra llafi në shtet janë 178537 shtetas të punësuar në shtet; janë po kaq vepra penale. Në total 637 mijë vepra penale. 

Në minimumin e tyre, secili prej tyre jemi të përndjekur. Përndjekja është vepër penale e parashikuar në Kodin Penal. Ky është minimumi.  

Pjesa tjetër, kjo përndjekje e bërë jo nga njerëz paranojak, por ndoshta edhe të tillë në fakt. Por në formën e shtetit paranojak të Edi Ramës, kjo e bën situatën traumatike në aspektin penal. 

Ja pse është një maksiproces, se është një Tangetopoli i cili do të duhet të çohet deri në fund. Të mos përjashtojnë siç kanë bërë deri tani prokuroritë, sigurisht është detyrimi ynë ligjor por edhe moral për ta çuar deri në fund.  

Kjo është fotografia e thjeshtë e situatës lidhur me patronazhistët.  

E gjitha ka lidhje me atë skemë patronazhimi të ngritur për atë qëllim të vetëm: zgjedhjet. Deformimi i vullnetit të individit, deformim i vullnetit të më së paku 637 mijë shtetasve shqiptar. Pa përllogaritur efektin e familjeve.