Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen shtatë të rinj në Dibër e Pogradec


Një 27-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet si autori i grabitjes së një institucioni kredidhënie në Dibër.

Në pranga ka rënë Jeton Bardhi, banues në fshatin Sinë pasi akuzohet se i maskuar e i armatosur me thikë grabiti rreth 170 mijë lekë të reja.

Në Pogradec janë arrestuar gjashtë të rinj pasi u është kapur një sasi prej 21 gramësh drogë e dyshuar e llojit kokainë si dhe disa doza kanabis. Ata janë kapur në unazën e qytetit pas një aksionit të policisë.

Njoftimi

“Strukturat hetimore të DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër, në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes së ndodhur në datën 21.12.2021, në një institucion financiar në qytetin e Peshkopisë, bazuar dhe në informacione të grumbulluara në rrugë policore, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Bazuar në informacionet e mara në rrugë operative nga strukturat hetimore të DVP Dibër u bë lokalizimi i vendndodhjes së autorit të dyshuar.

Falë bashkëpunimit me DVP Durrës u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit J. B., 27 vjeç,  banues në fshatin Sinë, Dibër. Nga veprimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, i maskuar dhe nën kërcënimin e një mjeti prerës (thikë), ka marrë shumën 179.100 lekë të rinj në një institucion financiar.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”

Njoftimi

“Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Unaza”. Operacioni i zhvilluar pas një hetimi 2-javor, nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Vihen në pranga 6 shtetas. Sekuestrohen 21.14 gram kokainë dhe një sasi lëndë e dyshuar narkotike kanabis e ndarë në doza, gati për shitje. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Renda në Komisariatin e Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, pas një hetimi 2-javor, falë punës së mirëorganizuar, finalizuan operacionin e koduar “Unaza” si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve A. Gj., 21 vjeç; R. Gj., 24 vjeç; D. P., 22 vjeç; Xh. O., 41 vjeç; K. Z., 18 vjeç dhe S. O., 19 vjeç, banues në Pogradec.

Në kuadër e funksion të këtij operacioni, shtetasit e mësipërm, kanë qenë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të shërbimeve policore dhe mbrëmjen e djeshme, janë kapur në flagrancë në unazën e qytetit të Pogradecit, ku nga kontrollet e ushtruara u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 21.14 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një sasi lëndë e dyshuar narkotike kanabis e ndarë në doza, gati për shitje, një automjet tip “ Mercedez Benz”, 7 telefona celularë dhe sende të tjera që kanë ndihmuar për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale. Po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.