Nga Arbër Zaimi
Në Shqipëri po qarkullojnë haptazi të dhënat private të qytetarëve, të cilat në konfidencë ata ia kanë besuar shtetit.
Impotenca e shtetit për të ruajtur sekretin e të dhënave që i janë besuar i rrezikon qytetarët të cilëve u janë qarkulluar publikisht adresat, rrogat, përkatësia politike, raportet familjare e biznesore, e ndoshta edhe kartelat shëndetësore e informacione të tjera delikate. Kjo dobëson edhe më shumë besimin e qytetarëve në shtet. Por dobëson edhe besimin e shteteve të tjera, apo të BE dhe NATO tek Shqipëria.
U tha se me aplikimin e teknologjive të reja dhe virtualizimin e shërbimeve, si psh me e-Albania, zvogëlohet korrupsioni por edhe kostot e shtetit sepse punësohen më pak byrokratë. Por teknologjia i shërben qëllimit të atij që e vë në punë. Kur qëllimi është korruptiv, teknologjia mundëson pikërisht si në Shqipëri: evitimin e korrupsionit të vogël (ryshfetit në sportel) dhe mundësimin e korrupsionit të stërmadh (shitjen e gjithë të dhënave te partitë politike, korporatat, apo faktorët e jashtëm anti-NATO, etj.) Çka bëhet me synim kursimin, del se kushton më shtrenjt kur në krye ke shtetarë që vjedhin, e nuk e duan shtetin e vet.
Publikimi i të dhënave të punonjësve të Shërbimit Informativ, pra të institucionit që për mision ka pikërisht mbrojtjen e interesave shtetërorë e publikë përmes ruajtjes së sekretit, tregon se askush në këtë vend nuk është më i mbrojtur. Së paku jo nga Shqipëria.
Nuk është paradoks, por vendi me probleme të mëdha të transparencës në vendimmarrje, është po i njëjti vend që nuk ruan dot sekretet shtetërore e të dhënat private të qytetarëve. Pra, as transparencë shtetërore, as sekret shtetëror. Kështu forcohet vjedhja e dobësohet shteti.
Pse ndodh kjo? Nuk mungojnë ekspertët, as talenti, as dija e as guximi. Por mungon dëshira dhe përkushtimi i sinqertë për të bërë shtet, mungon ndjenja e detyrës te vetë shtetarët e Shqipërisë. Është e domosdoshme së pari të mos e marrësh seriozisht shtetin tënd, që pastaj ta shesësh e ta vjedhësh atë pa brerje të ndërgjegjes.