Vendosni fjalën kyçe....

Dodik paralajmëron shpërbërjen e Bosnjë Herzegovinës nëse nuk zgjidhet kriza


Në qoftë se kjo krizë nuk zgjidhet, shpërbërja e Bosnje-Hercegovinës është e mundur dhe Republika Sërpska do të shkojë drejt daljes, askush nuk duhet të dyshojë në këtë, ka thënë Millorad Dodik, anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës në një konferencë për media, më 23 dhjetor, në Sarajevën Lindore.

Dodik vlerësoi se situata në Bosnje-Hercegovinë “ka shkuar deri në absurditet” dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian “që të ndalojë së konsideruari Bosnje-Hercegovinën si një eksperiment”.

“Dy nga tre popujt konstituivë nuk e mbështesin rrugën kah po shkon Bosnje-Hercegovina, në mënyrën sesi myslimanët e paramenduan Bosnje-Hercegovinën, në të cilën kroatëve do t’ua zgjidhnin përfaqësuesit ‘e tyre’, ndërkaq serbëve do t’ua merrnin pyjet, do t’ua merrnin tokat dhe më pas do të kërkonin që ne t’i të duartrokasim. Bosnje-Hercegovina e tillë nuk është e mundshme”, tha Dodik.

Ai theksoi se dy vendet më të rëndësishme për Bosnjën dhe Hercegovinën janë Serbia dhe Kroacia dhe shtoi se “marrëdhëniet e lidershipit mysliman nuk kanë qenë kurrë më të këqija me Kroacinë, ndërkaq që as me Serbinë nuk janë të shkëlqyera”.

“Kur i shtoni kësaj se ata u përfshinë edhe në konflikte me Hungarinë, krejtësisht pa nevojë. Veçanërisht të orkestruar me shumë urrejtje, ata po krijojnë një histori sesi një ndikim i dëmshëm rus po përhapet vazhdimisht këtu. Ata po përpiqen të shkatërrojnë palën serbe dhe kroate. Një Bosnje-Hercegovinë e tillë është e pamundur të ekzistojë. Është e nevojshme që sa më shpejtë t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, Hungarinë, Kroacinë, Kinën”, theksoi Dodik.