Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarët pyesin drejtoreshën e AKSHI-t nëse do japë dorëheqjen, në vend të saj përgjigjet Rama: SHBA-ve i dolën në rrugë të gjitha sekretet e s’pati dorëheqje


Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, pas skandalit të publikimit të pagave të qytetarëve.

Gazetarët e pyetën Karçanajn nëse ajo do të japë dorëheqjen nëse rezulton nga hetimet se të dhënat kanë dalë nga portali e-Albania.

Por kryeministri Edi Rama u përgjigj në vend të saj, duke thënë se SHBA-ve i dolën në rrugë të gjitha sekretet dhe nuk ka pasur asnjë dorëheqje. Për më tepër në këtë rast sipas tij, portali e-Albania nuk ka lidhje me sistemin e Tatimeve dhe drejtoresha e AKSH-it nuk mund të mbajë përgjegjësi për këtë skandal.

“SHBA-ve i dolën në rrugë të gjitha sekretet, nuk di të ketë pasur ndonjë dorëheqje, dakord. Kështu që tjetër është kur gjërat ndodhin si rezultat i një dështimi të sistemit ose si rezultat i një vepre siç ishte rasti i të ndjerit Klodian Rasha dhe komplet gjë tjetër është kur gjendemi përpara sulmeve. Në të gjitha rastet në fjalë, ka plot, as nuk ka ndodhur dhe as nuk kam dëgjuar t’i kërkohet dorëheqje dhe tjetra është që AKSHI nuk ka lidhje me këtë.

Është njësoj si të shkosh t’i kërkosh dorëheqjen ministres së Bujqësisë. Platforma e ndërveprimit qeveritar e-Albania nuk ka absolutisht lidhje me sistemin e Tatimeve, sepse sistemi i Tatimeve që ka të bëjë me pagat është një gjë tjetër, ndërkohë që e-Albania është komplet gjë tjetër. Është një sistem i cili menaxhohet nga dy kompani, një e huaj, një shqiptare. Është një sistem që funksionon në vazhdimësi me një program të vetin. Po jap përgjigje sepse qytetarët duhet të jenë shumë të qartë. Platforma e shërbimeve dixhitale nuk është cenuar dhe deri tani nuk ka dhënë shenja vulnerabiliteti as nga jashtë, jo më nga brenda.”- tha Rama.