Vendosni fjalën kyçe....

Kapen dy magazina kanabisi në Shkodër, në pranga 6 persona (mes tyre dy punonjës të OSHEE-së)


Gjashtë persona janë arrestuar në Shkodër, mes tyre dy punonjës të OSHEE-së. Ata akuzohen për kultivim lëndësh narkotike.

Gjatë operacionit të koduar ‘Bushati’ janë arrestuar Gj. V., 33 vjeç, K. V., 21 vjeç, K. N., 22 vjeç, P. V., 56 vjeçe, të katërt banues në fshatin Mnelë si dhe 2 punonjës të OSHEE-së, shtetasi A. K., 36 vjeç (përgjegjës i zonës) dhe A. K., 25 vjeç (lexues i matësit elektrik), banues në Bushat.

Gjatë kontrollit të policisë janë kapur dy magazina që ishin përshtatur për kultivim kanabisi, 100 kilogramë kanabis, 0.5 litra vaj hashashi, një pisdtole, fishekë e pajisje që shërbenin për kultivimin e kanabisit.

Njoftimi

“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative nga ana e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet e Paligjshme, se një shtetas, në fshatin Mnelë të Bushatit, kultivonte bimë narkotike me anë të llambave, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Bushati”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: Gj. V., 33 vjeç, K. V., 21 vjeç, K. N., 22 vjeç, P. V., 56 vjeçe, të katërt banues në fshatin Mnelë.

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë edhe 2 punonjës të OSHEE-së, shtetasi A. K., 36 vjeç (përgjegjës i zonës) dhe A. K., 25 vjeç (lexues i matësit elektrik), banues në Bushat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në zonën që ata kishin në monitorim.

Gjatë operacionit u zbuluan dy magazina që shtetasi Gj. V. i kishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike në kushte laboratorike me anë të llambave, si dhe një magazinë ku prodhoheshin vazo plastike, aktivitet i paregjistruar në organet tatimore.

Nga kontrolli i magazinave dhe banesave u sekuestruan 100 kilogramë cannabis sativa, 0.5 litra vaj hashashi, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, baza elektrike (llamba, stabilizatorë elektrikë që shërbenin për kultivim të bimëve narkotike) dhe 187 kova plastike që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Armëmbajtja pa leje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i aktivitetit pa licencë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.