Komisioni i Rithemelimit të PD-së ka shkuar sot përsëri në selinë blu, por bie në sy mungesa e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në selinë e PD-së u paraqitën deputetët demokratë që mbështesin Berishën si, Belind Këlliçiç, Albana Vokshi apo Tritan Shehu.
Në këtë konferencë për mediet, Këlliçi lexoi një letër drejtuar kryetarit të PD-së Lulzim Bashës, që sipas këtij grupi është shkarkuar. Në këtë letër Komisioni i rithemelimit e informon Bashën për shkarkimin e tij nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe letra u dërgohet për dijeni edhe ambasadorëve të huaj në vendin tonë.
Bashës i kërkohet të lirojë zyrën e kryetarit të partisë deri më 5 janar.
“Kuvendi i partisë ka vendosur shkarkimin tuaj nga detyra. Pavarësisht se sipas nenit 43, germa ç, kjo vendimarrje mund të ishte vetëm e Kuvendit, ky i fundit në respekt të mijëra demokratëve vendosi ta ratifikonte vendimarrjen përmes referendumit të mbajtur sipas parimit një anëtar një votë. Rezultati i tij përfundimtar sanksionon se 43 mijë demokratë kanë vendosur në favor të vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe shkarkimin tuaj nga detyra e kryetarit të partisë.
Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD, si organi më i lartë deri në krijimin e organeve të reja, me anë të këtij komunikimi zyrtar ju fton të njiheni me vullnetin e PD dhe organeve më të larta vendimarrëse. Kërkohet nga ana juaj që të merrni të gjitha masat për ta jetësuar vullnetin e demokratëve duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë, si dhe duke kryer menjëherë dorëzimet përkatëse te Komisioni i Përkohshëm, deri më 5 janar 2022. Refuzimi i vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe vullnetit të 43 mijë anëtarëve që ratifikuan vendimin e shkarkimit tuaj, do detyrojë anëtarësinë e PD të shndërrohet në pëmbaruesin politik të vendimit dhe vullnetit të saj.”– tha Këlliçi.