Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi e konstatoi dorëheqjen, Zoran Zaev nuk është më kryeministër i Maqedonisë së Veriut


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, gjë që është pritur me duartrokitje nga VMRO DPMNE-ja opozitare.

Sipas medieve në Maqedoninë e Veriut, dorëheqja u miratua duke mos e arsyetuar vet Zaevi gojarisht. Dorëheqja e kryeministrit do të thotë edhe dorëheqje e gjithë Qeverisë.

Dorëheqjen Zaevi e dorëzoi dje deri te kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi. Ai aty kishte shkruar se këtë vendim e ka marë si hap logjik i cili del nga rezultati i zgjedhjeve lokale.

Dorëheqjen nga Qeveria, Zaevi e ka paralajmëruar që më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) në zgjedhjet lokale.

Ai ka marrë përgjegjësinë për humbjen nga VMRO DPMNE-ja duke dhënë dorëheqjen edhe nga drejtimi i partisë. 

Me dorëheqjen e tij fillojnë të rrjedhin dhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Kryeministër i ardhshëm i vendit pritet të jetë Dimitar Kovaçevski nga LSDM i cili së fundmi u zgjodh dhe kryetar i LSDM-së.