Vendosni fjalën kyçe....

“Numri i palestrave, qesharak”- Rama mbledh Komitetin Olimpik dhe kujton momentet e veta si sportist


Kryeministri Edi Rama këtë të enjte zhvilloi në ambientet e Kryeministrisë një takim me Komitetin Olimpik dhe federatat shqiptare të sportit.

Në këtë takim Rama prezantoi programin e ri të sportit në shkolla dhe universitete, ku theksoi se duhen organizuar skuadra sportive brenda shkollave në sistemin arsimor parauniversitar dhe universitar.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka kujtuar edhe të shkuarën e tij si sportist.

 “Është koha të organizojmë brenda shkollave skuadrat sportive. Nuk flas për klasat sportive, por flas për ekipet sportive të shkollave dhe universiteteve, duke organizuar gara të të rinjve qoftë në nivelin lokal, qoftë dhe në nivel kombëtar. Kjo është baza dhe ku spikaten talentet për tu ngjitur më pas në majat e sportit profesionist. Universiteti i Sporteve duhet të përfshihet në këtë proces. Është e domosdoshme që gjithë komponentët e këtij mozaiku të vihen në lëvizje.

Nga ana tjetër ne sot kemi krijuar një mundësi, ku këtu ka jo pak nga ata me të cilët unë kam pasur nderin të ndaj jetën sportive, më shumë duke i admiruar se sa duke më admiruar. Po shoh Korabin këtu, Korabi ka qenë një superstar, unë kam qenë thjesht një mbështetës i skuadrës. E sjell këtë në kujtesë sot përpara jush për të thënë që në kohën kur ne luanim basketboll, numri i palestrave ka qenë qesharak, më kujtohet ne që ishim në katër, pesëshen, e parë në Kategorinë e Parë të Basketbollit, na duhej të lëviznim për të bërë stërvitje diku tjetër, jo në Pallatin e Sportit, përdornim palestrën e studentit që ishte një palestër me parametra që sot konsiderohen të papranueshme për palestra shkollash.

Kemi sot një numër të konsiderueshëm palestrash që janë me standarde dhe kemi një bazë për të zhvilluar lëvizjen sportive të shkollave. Kemi nevojë ta rrisim numrin e palestrave. Po bëjmë regjistrimin e palestrave dhe terreneve sportive në një databazë të vetme, ashtu si kundër kemi kërkuar nga bashkitë të na vendosin në dispozicion të gjithë terrenet e mundshme për ndërtimin e ambienteve sportive.”– tha Rama.