Vendosni fjalën kyçe....

Ora News: Prokuroria mbyll hetimet për “Telebingon Shqiptare”, biznesmeni Alban Dabulla akuzohet për evazion fiskal


Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet e nisura që në vitin 2016 për “Telebingon Shqiptare”, lidhur me dyshimet për evazion fiskal.

Sipas televizionit “Ora News”, Prokuroria ka firmosur ditën e djeshme në datën 22 dhjetor rreth 20 masa sigurie për evazion fiskal.

Prej vitit 2014, Telebingo ka pasur të ardhura por dyshohet se i ka shmangur detyrimet tatimore. Sipas gazetarit Elton Qyno, disa nga kompanitë e biznesmenit Alban Dabulla dyshohet se kanë fshehur të ardhurat. 

“Prokuroria e Tiranës këto ditë është duke përpiluaar një kërkesë dhe e ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj 20 personave, ku 19 prej tyre janë zyrtarë të Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë por edhe zyrtarë të tjerë ekonomistë e kontabilistë, por mes personave kryesorë është biznesmeni i njohur Alban Dabulla.

Faktikisht qështë një biznesmen i cili menaxhon një sërë biznesesh në qytetin e Tiranës dhe jo vetëm, është një biznesmen që është përfolur jo vetëm për biznesin e Telebingos, por edhe të menaxhimit të lejeve të ndërtimit në Tiranë, por edhe për shkak të përmendjen e tij në çështjen Shullazi ku ai u përfol shpesh dhe privatizimin e hotel Vollgës në Durrës.

Faktikisht i cili është nisur nga Prokuroria e Tiranës qysh në vitin 2016 dhe bëhet fjalë për një material hetimor që i është përcjellë Prokurorisë së Tiranës, pikërisht nga Drejtoria e HEtimit Tatimor e Tiranës, e cila ka konkluduar se disa nga kompanitë e biznesmenit Alban Dabulla, i cili rezulton të jetë edhe djali i ish-deputetes së PS-së Arta Dade, ka bërë transaksione të dyshimta me qëllim fshehjen e të ardhurave dhe mospagimin e taksave dhe detyrimeve ligjore që përmban kodi mbi taksat.”- tha gazetari Elton Qyno ndërsa ishte i ftuar në studion e “Ora News”.

Gazetari tha se bëhet fjalë për rreth 5.6 apo 6 milionë Euro detyrime që nuk janë paguar kundrejt ligjit në arkën e shtetit, nga kompania që zotëron Dabulla, për Telebingon Shqiptare. Po ashtu Qyno tha se ka patur presione ndaj avokatit të çështjes për të mos dorëzuar kërkesën për “arrest me burg” ndaj personave të dyshuar për evazion fiskal.

Prokurori i çështjes, Leonard Filopati, prej datës 22 dhjetor 2021, i është drejtuar me një kërkesë gjykatës së Tiranës, duke kërkuar caktimin e masës së “arrestit në burg” për biznesmenin Alban Dabulla dhe disa prej zyrtarëve të Tatimeve në Tiranë. Sipas burimeve të “Ora News”, Alban Dabulla, është larguar nga territori Shqiptar pak ditë më parë se prokurori Filopati, të dorëzonte në gjykatën kërkesën. Prej 24 orësh, kërkesa e prokurorisë së Tiranës, vijon të qëndrojë në gjykatën penale të kryeqytetit, në pritje për tu gjykuar dhe vendosur nëse do pranohet ose jo nga gjyqtari i gatshëm.

Po ashtu gazetari Qyno thotë se pronari i “Telebingos Shqiptare”, Alban Dabulla, njihet si një person shumë pranë kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Biznesmeni Dabulla njihet si një biznesmen shumë pranë kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe është një njeri që jo vetëm influencon në marrjen e lejes së ndërtimeve por është edhe vetë një individ që ndërton në Tiranë por edhe në vende të ndryshme. Kjo lidhje dhe ky afrimitet me pushtetit lokal dhe vetë biznesmenit ka krijuar një lloj presioni ndaj prokurorëve të çështjes por edhe hetuesve të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë dosje hetimore”-deklaroi gazetari/Hashtag.al

Gazetari Elton Qyno

Gazetari Elton Qyno