Vendosni fjalën kyçe....

Rama ngre pyetje për nxjerrjen e të dhënave: Pse u publikuan tani dhe pse zëdhënës të “gratanongrata”-s paralajmërojnë të tjera


Kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme për mediet, ka ngritur një pyetje në lidhje me skandalin e publikimit të pagave të mbi 637 mijë shqiptarëve, se pse kjo listë u publikua tani kur të dhënat kishin rrjedhur prej disa muajsh.

Ai hodhi dyshime edhe mbi ish-kryeministrin Sali Berisha, megjithëse nuk e përmendi me emër, duke pyetur se pse “zëdhënës të gratanongrata paralajmërojnë të tjera?”.

“Dua të falënderoj të gjitha mediat, ekranet në mënyrë të posaçme që me të drejtën e tyre e kanë komentuar, por nuk kanë nxjerrë të dhëna sidoqoftë, po kështu dhe të gjithë ata që nuk kanë bërë këtë krim në portalet e veta. Ata të cilët janë shmangur nga mosekspozimi i të dhënave në media dhe kanë përdorur ëp, mbase e kanë pasur parasysh këtë gjë. Edhe ky është një fakt interesant, nuk u shmangën herën e parë, janë shmangur këtë herë. Interesante, nuk aludoj.

Kjo bazë ka dalë në një ‘tik tok’ para disa muajsh dhe nuk është përdorur, po është përdorur tani. Pse zëdhënës të gratanongrata paralajmërojnë të tjera. Është dorë qartësisht për konfuzion dhe pasiguri publike. Këtu nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse ne të vazhdojmë revolucionin dixhital. Mbase këtë e ka nxitur dhe fakti se për disa javë me radhë kemi ndërmarrë një tur sensibilizimi për të informuar qytetarët se do të mbyllen sportelet dhe do jetë gjithçka online. Ne nuk do të na pengojnë këta që hedhin gurin, fshehin dorën, nxjerrin fytyrën. Nuk dua të spekuloj, siç bëjnë ata. Nuk bëj asnjë asociim me askënd, por them që ky është një rast domethënëse për deri ku mund të shkojnë njerëz dhe forca të caktuara kundër qytetarëve për qëllimet e tyre. Nga ana jonë do të bëjmë maksimumin që të forcojmë kapacitetet për të krijuar mure pas mure, sepse jemi shumë të ekspozuar.”- deklaroi Rama.