Kryedemokrati Lulzim Basha në një konferencë për mediet, deklaroi se ndaj organeve të drejtësisë ka një presion të madh politik për të mos hetuar skandalin e publikimit të listës së pagave të mbi 630 mijë qytetarëve.
Basha tha se jemi përpara një tangentopoli dhe u bëri thirrje organeve të hetimit që përkundër presioneve në lidhje me këtë çështje dhe skandalin e inceneratorëve, të vëne personat përgjegjës para drejtësisë.
“Jemi përpara një tangentopoli, që kërkon një mega proces. I bëj thirrje strukturës së posaçme antikorrupsion, byrosë kombëtare të hetimit, shërbimit informativ kombëtar, të krijojnë menjëherë infrastrukturën e nevojshme, që personat përgjegjës për këtë skandal të arrestohen, pra të mos të lihen në gjendje të lirë, apo në gjendje për tu arratisur, që të nisin menjëherë të gjitha proceset e nevojshme për vënien para përgjegjësisë të personave me mbrojtje politike.
I bëj thirrje përfaqësive të huaja në Tiranë, të ofrojnë të gjithë mbështetjen e nevojshme për strukturën e posaçme antikorrupsion, për strukturat relevante në policinë e shtetit dhe për shërbimin informativ shqiptar, sepse në momentin që flasim, informacionet pranë Partisë Demokratike tregojnë për një presion të jashtëzakonshëm politik nga personat e përfshirë direkt në skandalin e patronazhimit, në këtë aspekt të skandalit të patronazhimit, që është rrjedhja e të dhënave personale, mbi të ardhurat personale të shtetasve, sikundër vazhdon presioni, që skandali i inceneratorëve të mbyllet me Kokën, që është bishti, si i vetmi person nën hetim dhe i arrestuar.
I garantoj qytetarët shqiptarë, që pavarësisht ritmit dhe shpejtësisë së lëvizjes së strukturës së posaçme antikorrupsion, e cila dhe një herë, ka gjithë mbështetjen e Partisë demokratike dhe të opozitës, dhe timen personale si kryetar i saj. Përkundër presioneve nga ata që janë kapur në flagrancë, pavarësisht prej shpejtësisë së lëvizjes së tyre, Partia Demokratike është e vendosur, të zhvillojë me përkushtim, me të gjithë thellësinë dhe pa asnjë ndalesë, atë pjesë që kushtetuta ia ka garantuar, hetimin e plotë parlamentar, si të masakrës zgjedhore e në veçanti të skandalit të patronazhistëve, ashtu dhe të vjedhjes më të madhe të këtyre 30 viteve, asaj të inceneratorëve.”- tha Basha.