Kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme për mediet, i pyetur nga gazetarët ka hedhur poshtë që qarkullimi i të dhënave të pagave të qytetarëve shqiptarë ditët e fundit të ketë lidhje me patronazhistët.
Ndërsa nuk mohon ekzistencën e një databaze, Rama thotë se edhe databaza që ka qarkulluar më parë e patronazhistëve nuk është e Partisë Socialiste por pjesë e një grabitjeje të një pjese të të dhënave dhe manipulimit të tyre.
Po ashtu ai ngriti disa dyshime se kush mund të ketë publikuar pagat për mbi 694 mijë qytetarëve dhe për cilat arsye ato u bënë publike pikërisht në këtë kohë. Për dyshimet e tij, Rama tha se është gati të dëshmojë në prokurori, por jo para medieve me argumentin se s’do të politizojë situatën.
“Ju mund të vazhdoni nuk ka asnjë problem të flisni për patronazhistë, por unë po ju them prap, kjo është e gjitha një farsë e orkestruar nga ata qëë i kanë përdorur ato të dhëna për veten e tyre dhe ua kanë hedhur patronazhistëve, sa për dijeni. Është përdorur nga ata dhe ua kanë hedhur patronazhistëve për t’i akuzuar se po bëjnë atë punën e si të thuash… mundësuar nga përdorimi i shtetit. Kaq e thjeshtë.
Cila mund të jetë nevoja në botë e shtetit, shumicës qeverisëse për të bërë gjëra të tilla? Më thoni një nevojë.
S’ka nevojë. S’ka fare nevojë për të bërë databaza të tilla.
Në rast se këto do të ishin të nevojshme dhe nëse ne do të ishim të tillë, nuk kishim nevojë për databaza të tilla. Unë ju kam thënë edhe më parë, është një databazë ajo që ka dalë që nuk është databaza e PD-së.
Databaza e PS nuk ka pasur kurrë karta identiteti sepse nuk na duhen. Nuk funksionojnë me karta identtiteti patronazhistët sepse ata funksionojnë me trokitje derë më derë. Patronazhist është dikush që punon në këtë pallat dhe ndjek të gjithë njuerëzit nga pikëpamja e dhënies së informacionit siç bën e gjithë bota.
Nuk bëhet me kartë identiteti, por me monitorimin e qendrave të votimit, me reflektimin individual siç bëhet kudo në botë mor xhan. Ata quhen canvars, këtu patronazhistë. JAnë njerëz në komunitet. Shko në Beritaninë e Madhe dhe shiko patronazhistët e laburistëve. Nuk duhen kartat e identitetit për të marrë vesh për kë ke votuar. Ajo nuk është databaza jonë.
Ajo është pjesë e një grabitje të një pjese të të dhënave dhe manipulimit të tyre, nuk është databaza jonë. Unë me daljen e kësaj e kam një opinion shumë të qartë dhe nëse prokuroria ka dëshira të dëgjojë, unë ja them. Unë e kam të qartë se për çfarë mund t’ju duhen pagat atyre që kanë hedhur në treg databazën e patronazhistëve. Faleminderit shumë.”- tha Rama.