Vendosni fjalën kyçe....

Përfitimet afatgjata të eficencës energjitike


Në ditët e sotme, për t’ju përgjigjur pyetjes “si mund të përmirësohet eficenca energjetike” duhet të kërkojmë përtej arsyetimit bazik, “duke kursyer energji”. Përgjigja duhet kërkuar në ndërmarrjen e një sërë masash të cilat përfshijnë të gjithë aktorët që luajnë rol në prodhimin, menaxhimin, shfrytëzimin dhe përdorimin  e energjisë.

Rritja e vazhdueshme e kërkesës për energji është bërë aktualisht edhe më problematike, me krizën e thellë energjitike që ka përfshirë gjithë botën dhe që ka çuar në nivele të paprecedenta të çmimit të energjisë elektrike.

Me rritjen e varësisë ndaj energjisë, Agjencia për Eficencën e Energjisë synon të nxisë dialogun me të gjithë palët e interesuara, të promovojë aksione që mbështesin efiçencën e energjisë dhe të krijojë kornizën ligjore për të arritur një sërë objektivash afatgjatë.

Diversiteti, eficenca dhe fleksibiliteti në sektorin e energjitikës janë kushte bazë për të arritur sigurinë afatgjate të energjisë. Burimet e energjisë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë duhet të jenë të shumëllojshme dhe praktike.

Në këtë mënyrë sistemi energjetik në vendin tonë, do të jetë në gjendje t’i përgjigjet në mënyrë të menjëhershme dhe të efektshme emergjencave të mundshme energjetike. Prandaj duhet të punohet për të zvogëluar përdorimin pa kriter të energjisë. Fatmirësisht, ekzistojnë mundësi të mjaftueshme për të rritur eficencën në të gjitha fazat e ciklit të energjisë, që nga prodhimi deri te konsumi i saj.

Për një vend si Shqipëria, zhvillimi dhe promovimi i eficencës energjitike paraqet një mundësi shumë të mirë për të forcuar ekonominë e vendit dhe për të rritur produktivitetin e energjisë.