Vendosni fjalën kyçe....

Rrjedhja e të dhënave mbi pagat dhe ID-të – Pistat se pse dolën tani


Nga Valmora Gogo

Nuk është hera e parë që në Shqipëri del një databazë me të dhëna personale mbi shqiptarët. Pas databazës “Patronazhisti”, ku të dhëna personale deri në preferencën mbi partitë politike dolën në publik, databazë e artikuluar si në pronësi të Partisë Socialiste, dy databaza të tjera me ID-të e shqiptarëve, numrat e telefonit, atësitë, pagat, institucionet apo kompanitë ku punonin nisën të qarkullonin me shpejtësi. Në qendër të debatit, jo për herë të parë, u vunë analistë e aksionerë mediesh, ashtu siç ndodhte vite më parë nën qeverisjen e Ramës kur media etiketohej “kazan” apo kur publikoheshin rrogat marramendëse të personazheve të njohur televizivë.

Megjithëse pati zëra pro e kundër daljes të dy databazave të fundit, deri edhe te artikulime se me to mund të bëhej shkencë, ajo që u vu re qe se një pjesë e madhe e medies shqiptare u tregua e pjekur për të mos publikuar jo vetëm përmbajtjen e plotë të dy databazave po as lajmet që nisën të qarkullonin në një pjesë të vogël të saj, me emra të përveçëm.

Mesazhet që qarkulluan në “Whatsapp”

Mes orientuesve të debatit publik mbi pagat dhe të dhënat e tjera u vu re pyetja: kush i publikoi dhe pse u publikuan tani.

Disa pista kanë qarkulluar këto ditë në hapësirën publike shqiptare, të cilat janë shoqëruar edhe me detaje nga konferenca e shtypit të kryeministrit Edi Rama apo ekspertë IT të ftuar në emisione televizive. Emëruesi i përbashkët është se nxjerrja e databazave, së paku deri më tani pa folur ende prokuroria, nuk erdhi si rezultat i ndonjë sulmi kibernetik të jashtëm por ka ardhur si rezultat i rrjedhjes së brendshmi të informacionit për shkak të infiltrimeve po të brendshme.

Hamendësimet për arsyet pse këto databaza u publikuan tani:

Pista e parë: Zbehja apo relativizimi i skandalit të madh të inceneratorëve.

Hetimi që po zhvillohet nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar çoi në pranga ish-ministrin e Mjedisit Lefter Kokën, një nga eksponentët kryesorë të Partisë Socialiste angazhuar për fushatën dhe zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit të këtij viti.

Video – Lefter Koka, Edi Rama, Damian Gjiknuri

Ajo që po diskutohej më tej ishte përmasa e këtij skandali, ndërsa publikisht në mbrojtje të investimit të inceneratorëve kishte dalë kryeministri Edi Rama.

Edi Rama, “Opinion”, minutat: 1:08:50-1:39:47

A do kishte arrestime më të bujshme? Kjo qe tema me të cilën po merrej opinioni publik, ndërsa publikimi i këtyre databazave në fakt realizoi zhvendosjen e vëmendjes.

Pista e dytë: Zhvendosja e vëmendjes nga zhvillimet në Partinë Demokratike.

Për javë me radhë televizionet, mediet online, gazetat, mediet sociale janë përfshirë në zhvillimet brenda Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Sali Berisha me mbështetësit e tij lajmëroi një kuvend më 11 dhjetor, ndërsa në 18 dhjetor shkarkoi kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ditë kur Basha mblodhi në një kuvend të cilësuar si zyrtar, demokratët, të cilët u ndanë përfundimisht nga Berisha dhe linja e tij, pas shpalljes nongrata nga amerikanët.

Valenca e Partisë Demokratike qe e madhe në opinionin publik këto kohë, ndërsa kryeministri Edi Rama dhe zhvillimet mbi të po qëndronin në hije. A i intereson Ramës kjo gjë? A duhej që opinioni publik të mos kishte më qendër të vëmendjes Partinë Demokratike?

Në konferencën për shtyp Rama hodhi “helmin” e diversionit të tij, duke aluduar se mund të kenë qenë edhe demokratët që kanë shpërndarë këto databaza nga “foltoret e kuvendit dhe antikuvendit apo ata që nxjerrin konkluzione nga mixheliset mediatike”.

Pista e tretë: Për të tërhequr vëmendjen drejt vetvetes

Një pistë e tretë në diskutim mbi përgjigjen e pyetjes pse këto databaza u publikuan tani është edhe prirja që vëmendja të tërhiqej drejt qeverisë dhe Ramës nën devizën: nuk ka reklamë të keqe, ka vetëm reklamë!

Fakti është se vëmendja ndaj kryeministrit Edi Rama këto kohë është në kuotat e saj më të ulëta, mjafton të kujtojmë se maksimumi i audiencës online në profilin e tij në konferencën e djeshme ka shkuar vetëm në 1500 ndjekës.

Pista e katërt: Hapja e debatit dhe legjetimimi i investimeve të reja nga qeveria mbi sigurinë digjitale

Pista e PPP-ve të reja apo rregullimeve të kuadrit rregullator e lobimin duket si një pistë e katërt në përgjigje të pyetjes pse u publikuan tani këto databaza. A do të ketë një PPP të re? Çfarë lidhje mund të ketë me teknologjinë “Blockchain” përmendur edhe nga Edi Rama në konferencën për shtyp? Këto janë pyetje që me siguri me kalimin e ditëve do gjejnë përgjigje, sidomos në kohën kur qeveria mendonte të kalonte të gjitha shërbimet online.

Pista e pestë: Qarkullimi masiv i databazave tani është krejt rastësor.

Përmendur nga Rama se këto databaza ishin publikuar më parë në “TikTok”, por përforcuar edhe nga drejtues mediesh e personazhesh publikë se këto databaza kishin qarkulluar më parë, po jo kaq gjerësisht, duket se pista e pestë ajo e rastësisë mbetet më pak e besueshmja.

VINI RE: Ky material është pronë intelektuale e Gogo.al.