*Nga Paul Nuttall
Ish-kryeministri italian, famëkeq për sjelljen e tij me vajzat e reja, është në garë për t’u bërë president në moshën 85-vjeçare.
Më 4 janar, Italia do të zgjedhë një president të ri. Ndryshe nga Franca, presidenti italian nuk zgjidhet nga populli. Në vend të kësaj, presidenti zgjidhet nga anëtarë të të dy dhomave të Parlamentit dhe përfaqësues të rajoneve të Italisë.
Të qenit president italian është një rol kryesisht ceremonial, por presidenti ndërhyn sa herë që ka një krizë politike, që është një dukuri mjaft e shpeshtë në Itali. Më e rëndësishmja, presidenti vepron gjithashtu si mandatues i çdo qeverie të re.
Mandati shtatëvjeçar i presidentit aktual Sergio Mattarella përfundon në shkurt dhe ai tashmë ka deklaruar se nuk ka ndërmend të kandidojë sërish. Prandaj fusha është e lirë për një president të ri dhe disa emra interesantë po reklamohen si kandidatë.
Më interesant është ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi. Në moshën 85-vjeçare, disa vënë në dyshim moshën e shtyrë të Berlusconit, por ai mund të tregojë lehtësisht zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA si provë se mosha nuk është domosdoshmërisht pengesa që ishte dikur.
Megjithatë, shëndeti i Berlusconit u përkeqësua në vitin 2016 dhe ai bëri një operacion në zemër. Ai gjithashtu ka pasur trajtime të shumta për kancerin dhe është shtruar në spital në disa raste vetëm këtë vit.
Berlusconi, një manjat mediatik miliarder, është përfshirë gjithashtu në skandale të shumta. Në vitin 2013, ai u dënua për mashtrim tatimor dhe u ndalua nga postet publike për gjashtë vjet. Më pas ishin festat famëkeqe ‘bunga bunga’, ku shfaqeshin vajza të reja që kryenin akte striptizmi dhe favore të tjera në këmbim të zarfeve të mbushura me para.
Megjithatë, pavarësisht nga problemet e tij shëndetësore dhe skandalet e tij, Berlusconi ka pësuar një ringjallje politike, duke kulmuar me zgjedhjen e tij si deputet i Parlamentit Evropian në 2019.
Kohët e fundit, Berlusconi ka ndërtuar një koalicion të krahut të djathtë në Itali midis partisë së tij, ‘Forza Italia’, ‘Lega’-s së Matteo Salvinit dhe ‘Fratelli d’Italia’ të Giorgia Melonit. Mbështetja e gjerë nga këto parti euroskeptike është e domosdoshme nëse ai do të ketë sukses në fitimin e presidencës.
Berluskoni ka mbështetjen për një ofertë presidenciale nga partia e tij. Në të vërtetë, zëvendësi i tij, Antonio Tajani, i cili ishte president i Parlamentit Evropian midis 2016-2019, tha se Berlusconi ishte ‘një kapiten i jashtëzakonshëm i industrisë, një njeri i madh i sportit dhe një udhëheqës i madh politik’.
Ai gjithashtu ka mbështetjen e të paktën një prej partnerëve të tij të koalicionit. Meloni, liderja e ‘Fratelli d’Italia’, njoftoi se ‘ne duam një patriot, Berlusconi reflekton atë që ne kërkojmë’. Salvini ende nuk e ka mbështetur publikisht Berluskonin, por të dy do të takohen për të arritur një marrëveshje e nuk do ishte çudi që Lega të mbështeste ish-kryeministrin.
Megjithatë, Berlusconi ka një sërë pengesash përpara se të fitojë kurorën. Lëvizja ‘Pesë Yjet’ (Cinque Stelle), mbështetjen e së cilës ai do të kishte shpresuar të fitonte, e ka bërë të qartë se nuk do të mbështesë prirjen e mundshme të Berlusconit në presidencë.
Presidenti i partisë, Giuseppe Conte, deklaroi në televizionin italian këtë javë se ‘mund të mos zyrtarizohet që Berlusconi po kërkon të bëhet president, por nëse e bën nuk do i ketë votat’.
Në fushë ka edhe kandidatë të tjerë të fortë, ku më i dalluari është kryeministri aktual dhe ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi. Ashtu si Berlusconi, Draghi nuk ka deklaruar ende kandidaturën e tij, por ai ka sinjalizuar se është gati të hedhë dorashkën në ring.
Aktualisht, Draghi kryeson një qeveri të koalicionit të gjerë, e cila u formua për shkak të krizës së fundit politike të Italisë në shkurt. Qeveria e Draghit ka mbështetjen e partisë së Berlusconit, Legas dhe Lëvizjes Pesë Yjet. Nëse Draghi do të lejonte që emri i tij të shkonte përpara, ai do të ishte favorit për të fituar zgjedhjet.
Zgjedhja e presidentit nuk është vetëm një çështje madhore për Italinë; mund të ketë pasoja për pjesën tjetër të Evropës. Në të vërtetë, fakti që presidenti mund të ndërhyjë në kohë krize, i jep atij/asaj një sasi të madhe pushteti.
Berlusconi u hoq nga posti i kryeministrit nga presidenti italian në vitin 2011 kur ekonomia e Italisë ishte shumë pranë krizës. Me krizën e radhës politike në Romë, në mënyrë të pashmangshme, presidenti i ri mund të instalojë një qeveri të aleatëve politikë.
Për më tepër, si gardian i Kushtetutës italiane, presidenti është përgjegjës për marrëdhëniet e vendit me Evropën, duke përfshirë përputhshmërinë e tij me traktatet dhe ligjet e BE-së. Prandaj, Brukseli do t’i shikojë këto zgjedhje me një sy të mprehtë dhe padyshim duke shpresuar për një fitore të Draghit.
Me politikën italiane, duhet pritur gjithmonë e papritura, dhe kjo është arsyeja pse Berlusconi i vjetër ka mundësitë e tij për t’u zgjedhur. Nëse ai arrin të fitojë presidencën, atëherë do të jetë një nga rikthimet më të mëdha dhe më të çuditshme politike të të gjitha kohërave.
*Paul A. Nuttall është një historian, autor dhe një ish-politikan. Ai ishte një anëtar i Parlamentit Evropian midis viteve 2009 dhe 2019 dhe ishte një aktivist i shquar për Brexit.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani