Mesazhi i parë me tekst në botë nga tre dekada më parë është shitur si një ‘token jo i këmbyeshëm’ (NFT) për më shumë se 130,000 euro në një ankand në Paris, me të ardhurat që shkojnë për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
SMS ‘Gëzuar Krishtlindjet’ u dërgua më 3 dhjetor 1992 nga inxhinieri i Vodafone, Neil Papëorth, drejtorit të kompanisë Richard Jarvis. Jarvis e mori tekstin në telefonin e tij celular Orbitel 901.
“Pas përpjekjeve dhe përsëritjeve të panumërta të kodit, dërgimi dhe marrja e tekstit përmes rrjetit celular të Vodafone më në fund funksionoi, duke shënuar ‘një çast kyç në historinë e teknologjisë së komunikimit celular.” – shpjegoi shtëpia e ankandeve Aguttes.
SMS, e cila u sigurua nga Vodafone për shitje në formën e një NFT, mori një vlerë mbresëlënëse prej 132,680 eurosh (150,000 dollarë).
Shuma u ofrua nga një blerës i paidentifikuar, një kanadez që punonte në sektorin e teknologjisë. Pjesa përfshinte ‘një kopje të hollësishme të protokollit origjinal të komunikimit’ që vërtetonte dërgimin dhe marrjen e mesazhit dhe versionin e tij të animuar – një kornizë dixhitale me një animacion 3D që tregon momentin kur celulari mori SMS – plus një certifikatë të nënshkruar nga Vodafone Group CEO Nick Read që garanton origjinalitetin.