Një gjykatë në Moskë ka dënuar me katër vjet burg një student adoleshent, pasi ai u filmua duke urinuar në një tabelë që shfaqte portretin e një veterani rus të Luftës së Dytë Botërore. Ai më pas e ka publikuar videon në llogarinë e tij në Instagram.
Matvey Yuferov, i cili studion në Universitetin Shtetëror Rus për Shkenca Humane të kryeqytetit, u shpall fajtor për ‘rehabilitimin e nazizmit’ dhe tani do të jetë në burg deri në fund të vitit 2025. Ai gjithashtu u ndalua nga ‘publikimi i materialeve’ në internet për pesë vjet.
Sipas prokurorisë, natën e 25 nëntorit në distriktin Izmaylovo të Moskës, Yuferov i kërkoi mikut të tij që ta filmonte duke urinuar në një foto të Anatoli Frolovit dhe e postoi atë në internet.
Menjëherë pas publikimit të videos, Yuferov e hoqi atë nga interneti dhe regjistroi një video duke kërkuar ndjesë. Ai u ndalua pak më vonë. Përveç pendimit, studenti pretendoi se ishte i dehur dhe tha se nuk kishte bindje naziste apo ekstremiste.
Ligji për rehabilitimin e nazizmit u ashpërsua në fillim të këtij viti, pak pasi figura e opozitës ruse Alexey Navalny u gjykua për shpifje ndaj veteranit të Luftës së Dytë Botërore, Ignat Artemenko. Ligji i ri nënkupton se poshtërimi i dinjitetit apo nderit të veteranëve mund të dënohet deri në pesë vjet burg.
Kjo ngjarje e fundit nuk është hera e parë që një rus shkakton një skandal në lidhje me veteranët e Luftës së Dytë Botërore. Muajin e kaluar, një modele ruse u detyrua të kërkonte falje publike për filmimin e një puthjeje me shoqen Anna Mikheeva përpara Flakës së Përjetshme të Moskës, një memorial i shenjtë i luftës kushtuar viktimave të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore, që ndodhet pranë Kremlinit në qendër të kryeqytetit. .