Vendosni fjalën kyçe....

Mediet austriake: Pas largimit nga politika, Kurz ka gjetur një punë të re dhe së shpejti do të shkojë në SHBA


Pas largimit nga politika, ish-kancelari austriak Sebastian Kurz ka pranuar një ofertë të re pune dhe së shpejti do të niset për në SHBA me të dashurën e tij Susanne dhe djalin e tyre të vogël Konstantin. Të paktën kështu raportuan mediat austriake të shtunën.

“Në fillim të shkurtit ai do të fillojë punën e tij të re në një kompani globale në Silicon Valley. Kontrata është nënshkruar dhe angazhimi duhet të bëhet publik së shpejti.”- raportoi Kronen-Zeitung.

Gazeta shtoi se ish-kancelari austriak do të bëjë “një jetë klasike menaxheriale”, duke udhëtuar midis San Franciskos, Vjenës, Gjermanisë dhe Zvicrës. Sipas raporteve të tjera, kjo mënyrë jetese mund të vijë me një pagë vjetore mbresëlënëse, e vlerësuar në 500 mijë Euro.

Kurz, dikur ministri i jashtëm dhe kancelari më i ri në historinë austriake, dha dorëheqjen në tetor pas akuzave për korrupsion, të cilat ai i ka mohuar me forcë. Ai konfirmoi më vonë se nuk do të rikthehej në politikë, duke u shprehur se për të “10 vite në politikë mjaftojnë”.

Fillimi i një pune të re mund të mos jetë e vetmja ngjarje që do të ndryshojë jetën për Kurz vitin e ardhshëm, pasi sipas Kronen-Zeitung, ai gjithashtu planifikon të martohet me të dashurën e tij Susanne në verë, pas më shumë se 16 vitesh së bashku.