Ministri i Shëndetësisë në Kosovë Rifat Latifi, ka paralajmëruar një mbyllje të vendit në rast se qytetarët nuk vaksinohen kundër Covid-19.
Gjatë një interviste, Latifi tha se qeveria ka bërë përgatitjet e nevojshme që vaksinimi i popullatës të jetë sa më masiv dhe që sistemi shëndetësor të jetë i gatshëm për çdo krizë.
Por, ai ka theksuar rëndësinë e vaksinimit, duke kërkuar edhe nga emigrantët që të jenë të vaksinuar para se të kthehen në Kosovë.
“Dhurata më e mirë që na sjellin diaspora është të vijnë shëndoshë, me qenë shëndoshë këtu dhe të kthehen mbrapa shëndoshë. Këtë e bëjnë vetëm nëse janë të vaksinuar dhe nëse respektohen masat. Vlerësimin a do të ketë mbyllje a nuk do të ketë mbyllje e bëjmë çdo ditë. Varet nga rastet i marrim edhe masat përkatëse.”- është shprehur ai.
Mes tjerash, ministri Latifi paralajmëroi se nëse qytetarët janë të pakujdesshëm dhe nuk vaksinohen atëherë ekziston rreziku që të mbyllet vendi.
“Nëse secili prej nesh është i pakujdesshëm dhe nuk vaksinohemi natyrisht se jemi në rrezik të mbyllemi. Qëllimi nuk është të mbyllim ekonominë dhe shkollat, por duhet të mësohemi të jetojmë me Covidin sikurse që jemi mësuar të jetojmë edhe me gripin. Unë nuk di kur do të përfundojë pandemia në Kosovë.
Ne të vetmen mënyrë që kemi për mbrojtje kundër Covidit është vaksinimi edhe dozën e tretë e përforcuese.”- tha ai.