Papa Françesku në fjalimin e tij të Krishtlindjeve tha të premten se njerëzit që janë indiferentë ndaj të varfërve fyejnë Zotin, duke u bërë thirrje të gjithëve “të shikojnë përtej të gjitha dritave dhe dekoratave” të festës dhe të kujtojnë më të varfërit.
Papa Françesku kremtoi një meshë solemne vigjilence në Bazilikën e Shën Pjetrit për rreth 2000 njerëz, me pjesëmarrje të kufizuar nga COVID-19. Kjo është vetëm një e pesta e madhësisë së turmës së njerëzve në vitet para pandemisë.
“Vëllezër dhe motra, duke qëndruar para krevatit, ne soditim atë që është qendrore, përtej të gjitha dritave dhe dekorimeve, të cilat janë të bukura. Ne sjellim ndërmend fëmijën.”- tha ai, citon Reuters.
Papa i cili mbushi 85-vjeç javën e kaluar, tha se foshnja Jezus e lindur në varfëri duhet t’u kujtojë njerëzve se t’u shërbesh të tjerëve është më e rëndësishme sesa të kërkosh status ose dukshmëri sociale apo të kalosh një jetë në kërkim të suksesit.
“Në këtë natë dashurie, le të kemi vetëm një frikë: se mos ofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar të varfërit me indiferencën tonë. Jezusi i do ata shumë dhe një ditë ata do të na mirëpresin në parajsë.”- tha ai.
Pak minuta para fillimit të meshës së Krishtlindjes, Italia raportoi një rekord të dytë të njëpasnjëshëm ditor të rasteve të COVID-19, me infeksione të reja që arritën në 50 mijë 599 persona. Françesku, i veshur me petka të bardha, thuri predikimin e tij rreth e përqark me temën se Jezusi lindi pa asgjë.