Vendosni fjalën kyçe....

Urinoi mbi portretin e veteranit të Luftës së Dytë Botërore, dënohet me katër vite burg studenti rus


Një gjykatë në Moskë e ka dënuar me katër vjet burg një student, pasi ai u filmua duke urinuar në një tabelë mbi të cilën shfaqej portreti i një veterani rus të Luftës së Dytë Botërore. Ai më pas e ka publikuar videon e tij ndërsa kryente këtë gjest në llogarinë e tij në “Instagram”.

19-vjeçari rus Matvey Yuferov, i cili studion në Universitetin Shtetëror Rus për Shkenca Humane të kryeqytetit, u shpall fajtor për “rehabilitimin e nazizmit” dhe tani do të jetë në burg deri në fund të vitit 2025. Atij gjithashtu iu ndalua “publikimi i materialeve” në internet për pesë vjet.

Sipas prokurorisë, natën e 25 nëntorit në distriktin Izmaylovo të Moskës, Yuferov i kërkoi mikut të tij që ta filmonte duke urinuar mbi një foto të Anatoli Frolovit dhe e postoi atë në internet.

Një screenshot nga videoja

Menjëherë pas publikimit të videos, Yuferov e hoqi atë nga interneti dhe regjistroi një video ku kërkonte falje. Ai u ndalua pak më vonë. Përveç pendimit, studenti pretendoi se ishte i dehur dhe tha se nuk kishte bindje naziste apo ekstremiste.

Ligji për rehabilitimin e nazizmit u ashpërsua në fillim të këtij viti, pak pasi aktivisti opozitar rus Alexey Navalny u gjykua për shpifje ndaj veteranit të Luftës së Dytë Botërore, Ignat Artemenko. Ligji i ri nënkupton se poshtërimi i dinjitetit apo nderit të veteranëve mund të dënohet me deri në pesë vjet burg.