Ish-kampioni botëror dhe evropian i kikboksit, Frederic Fred Sinistra, i njohur ndryshe si “The Undertaker”, ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij nga problemet e rënda të frymëmarrjes të shkaktuara nga Covid-19.
Belgu ishte 41-vjeç dhe deri në fund ishte një mohues i bindur i koronavirusit. Tgcom24 shkruan se ai ishte detyruar të shtrohej në spital në Liege nga trajneri i tij Osman Yigin në fund të nëntorit. Por në javën e parë të dhjetorit, pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore, ai kishte firmosur për të shkuar në shtëpi. Pavarësisht se ccfarë kanë thënë mjekët, gruaja e tij vazhdon të pretendojë se i shoqi nuk ka vdekur nga Covid-19.
Vetë Sinistra në faqen e tij në Instagram, i është dashur të postojë një foto nga spitali, teksa ishte i lidhur me një aparat respirator, duke njoftuar se i ishin dëmtuar mushkëritë, por duke premtuar se do të rikthehej në ring më i fortë se më parë, edhe nëse i duhej të anulonte një ndeshje të planifikuar më 4 dhjetor në Francë.
Por dhjetë ditë pasi u tha mbështetësve të tij se ishte kthyer në shtëpi i bindur se mund ta kapërcejë këtë betejë, Sinistra ka vdekur.
“Tani po shërohem i qetë në shtëpi dhe do të jem edhe më i fortë se kurrë, sepse vetë vdekja nuk më donte dhe toka do të dridhet ende nën këmbët e mia.”- shkruante Sinistra duke paralajmëruar ndeshjen e radhës më 28 janar në Turqi.
Por mesa duket ai gaboi dhe nuk arriti ta fitonte dot këtë betejë me Covid-19.