Ndahet nga jeta ish-presidenti i Republikës së Greqisë, Karolos Papulias. Gazeta greke Ekathimerini shkruan se ish-presidenti ka ndërruar jetë këtë të dielë. Papulias shërbeu për dy mandate si president, nga viti 2005 deri në vitin 2015.
Papulias ishte një anëtar i vjetër i PASOK-ut dhe kreu emërime të ndryshme ministrore në karrierën e tij të gjatë politike, kryesisht në Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes. Ai ka shërbyer edhe si deputet i qarkut të tij të Janinës për 26 vjet.
“Pjesëmarrja e tij në Rezistencën Kombëtare dhe përpjekjet e tij kundër Juntës përcaktuan rrugëtimin e tij, duke reflektuar angazhimin e tij të vazhdueshëm ndaj idealeve të lirisë dhe drejtësisë që ai mbronte vazhdimisht.”– tha presidentja aktuale Katerina Sakellaropoulou e cila i bëri homazhe paraardhësit të saj.
Ajo shtoi se Papulias “shërbeu si President i Republikës së Greqisë për dy mandate radhazi dhe nderoi me sjelljen dhe moralin e tij këtë institucion të lartë shtetëror, duke mbrojtur me forcë kohezionin social dhe unitetin kombëtar.”