Vendosni fjalën kyçe....

Ndarja nga jeta e ish-presidentit grek, Meta: Të paharruara takimet me të, luajti rol historik në përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve tona


Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit grek Karolos Papulias.

Në një mesazh të publikuar në Facebook, Meta shprehet se Papulias ka luajtur një rol historik në përmirësimin e marrëdhënieve dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai thotë se do të mbeten të paharruara takimet e tij me të dhe respekti dhe përzemërsia e tij ndaj popullit shqiptar.

“Mësova me trishtim ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës së Greqisë, Karolos Papulias.

Vlerësim të madh për rolin historik dhe kontributin e Tij të çmuar në përmirësimin e marrëdhënieve dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për frymën konstruktive dhe vullnetin e sinqertë të dëshmuar për rivendosjen e urave dhe frymës së bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy popujve tanë.

Për mua do të mbeten të paharruara takimet me të dhe sidomos respekti dhe përzemërsia e Tij ndaj popullit shqiptar dhe Shqipërisë.

Ngushëllime familjes, autoriteteve dhe kombit grek për humbjen e këtij personaliteti të madh, që kontribuoi në rivendosjen e demokracisë dhe progresin e vendit të Tij.”- shkruan Meta.

Ish-presidenti i Republikës së Greqisë, Karolos Papulias u nda nga jeta këtë të dielë. Papulias shërbeu për dy mandate si president, nga viti 2005 deri në vitin 2015.

Ai ishte një anëtar i vjetër i PASOK-ut dhe kreu emërime të ndryshme ministrore në karrierën e tij të gjatë politike, kryesisht në Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes. Ai ka shërbyer edhe si deputet i qarkut të tij të Janinës për 26 vjet.