Vendosni fjalën kyçe....

Roli i 45-vjeçarit të arrestuar sot në vrasjen e biznesmenit Behar Sofia


Pamjet nga kamerat e sigurisë, ku autori ndiqte biznesmenin Behar Sofia

Bujar Leza është 45-vjeçari i arrestuar sot për vrasjen e biznesmenit Behar Sofia në shkurt të këtij viti.

45-vjeçarit i është komunikuar masa e sigurisë “arrest me burg” e vendosur nga GJKKO, teksa ndodhej në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, i arrestuar për dhunë në familje. Ai dyshohet se kishte dhunuar gruan.

Por cili është roli i tij në vrasjen e Behar Sofisë?

Sipas “Balkanweb”, Bujar Leza nga Larushku kishte njohje me të arrestuarin tjetër si bashkëpunëtor Leonard Xhixhën. Këta të dy dyshohen se së bashku kanë ruajtur lëvizjet e objektivit të sulmit, Behar Sofisë.

“Report TV” nga ana tjetër thotë se 45-vjeçari ishte koordinator mes porositësve dhe vrasësve me pagesë

Leza do të përgjigjet për katër vepra penale: “Vrasja me paramendim”; “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Por Bujar Leza rezulton se është dënuar edhe më parë për vrasje të mbetur në tentativë, nga 10 Nëntori i vitit 2014 deri më 17 Qershor 2017.

Por pasi ka dalë nga burgu, Leza ka kërkuar dëmshpërblim për arrestim të padrejtë duke pretenduar se i është prishur imazhi.

Biznesmeni 66-vjeçar Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit në kryeqytet, pranë Piramidës. Për ngjarjen janë arrestuar më herët 4 persona, Ernejt Shyti i dyshuar si ekzekutor dhe tre bashkëpunëtorët e tij Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe Xhuljano Visha.